Sport

Drita jep sinjale pozitive nga Antalya për ta rivalizuar Ballkanin

Drita e Gjilanit ka shënuar fitore të thellë në miqësoren e zhvilluar të martën në Antalya të Turqisë. Drita mposhti skuadrën e Kategorisë së Dytë të Hungarisë, Vasas, me rezultatin 6:1. Për trajnerin e Dritës, Zekirija Ramadani, rezultati është në plan të dytë. Ai i gëzohet formës që lojtarët kanë shfaqur gjatë stërvitjeve dhe të martën në ndeshje.

“Fitorja është për një atmosferë edhe më të mirë brenda grupit. Unë kam kërkuar nga ekipi që t’i përmbushë dy pika, vrapimin dhe disiplinën taktike. Pra, në atë që kemi punuar dhe rezultatin as nuk ua kam përmendur. Por kur arrin 80 % të rasteve t’i krijosh nga puna që bën në stërvitje, pa dyshim që edhe golat nuk mungojnë. Ishte një test i mirë, kemi gjëra për të përmirësuar dhe eliminuar, por ne si staf i trajnerëve kemi punën tonë për të bërë e që është analiza e lojës dhe t’i përmirësojmë ato më pas në stërvitje”, ka thënë Ramadani të martën për KOHËN.

Golat për Dritën i shënuan Blerim Krasniqi, Blend Baftiu, Muharrem Jashari, Albin Prapashtica dhe Meris Maliqi.

Drita do t’i ketë edhe tri ndeshje miqësore deri në fund të përgatitjeve për stinorin pranveror të elitës së futbollit kosovar. Ndeshjen e radhës do ta ketë të dielën. Do të përballet me skuadrën elitare të Ukrainës, Chernomorets Odesa. Më pas do t’i luajë edhe dy miqësore ndaj skuadrave polake, Lechias dhe Ruchit.

Edhe ndaj kundërshtarëve të ardhshëm, Ramadani thotë se rezultati do të jetë në plan të dytë.

“Ardhja jonë këtu në Turqi është me qëllim që ekipin ta përgatisim sa më mirë për stinorin pranveror, në çdo aspekt. Dhe, shpresojmë që do t’ia arrijmë qëllimit. Çdo takim është i rëndësishëm për pikët që do të kërkohen të arrihen. Rezultati gjithmonë është në plan të dytë”, është shprehur Ramadani.

Drita stinorin vjeshtor të Superligës e mbylli në vendin e tretë me gjashtë pikë më pak se kampioni Ballkani.

Trajneri shkupjan insiston se Drita ka forcë për të luftuar deri në fund për kreun e tabelës. Kujton periudhën kur me Prishtinën ishte prapa në garë për titull, para disa vjetësh, por në fund u shpall kampion. Ramadani titull ka fituar edhe me Trepçën ’89 dhe Feronikelin.

“Kishim besim edhe në minus 13 pikë, por normal që është një mision shumë i vështirë. Pesimizëm nuk ekziston në taborin tonë, por vetëm optimizëm. Do të luftojmë deri në fund për të bërë më të mirën”, ka thënë Ramadani.