Sport

Drita është krenare me sezonin në Evropë, kërkon më shumë në të ardhmen

Te nënkampionia e Kosovës në futboll, Drita, insistojnë se janë tejet krenarë me paraqitjet që treguan këtë edicion në garat evropiane. Edhe pse u eliminuan në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, në klub thonë se ndeshjet që i treguan, ishin shumë të mira. Madje, këtë sezon evropian e quajnë me shumë vlerë. Drita, të enjten mbrëma, u mposht në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga Antwerpi i Belgjikës 2:0, për t’u eliminuar. Në duelin e parë, të luajtur javën e shkuar në udhëtim, Drita barazoi pa gola.

“Nuk diskutohet fakti që jemi shumë krenarë me paraqitjet që i patëm këtë edicion në garat evropiane. Mund të them se ishte një sezon jashtëzakonisht i mirë dhe me shumë vlerë. Një sezon prej të cilit kemi mësuar shumë gjëra. Paraqitjet i kanë parë të gjithë që ishin dinjitoze”, tha drejtori sportiv, Valon Zymberi, të premten për KOHËN.

Drita u paraqit në kualifikimet e Ligës së Konferencës për herë të dytë. Në garat evropiane ishte sezoni i katërt në pesë vjetët e fundit për Dritën. Këtë edicion, garat në Ligën e Konferencës Drita i ka nisur nga rundi i parë, ku eliminoi Inter Turkun me rezultatin e përgjithshëm 3:1. Edhe sezonin e kaluar ishte ndalur në rrethin e dytë, sikurse këtë edicion dhe atë nga një kundërshtar i nivelit të lartë, Feyenoordi i Holandës. Barazoi në Prishtinë 0:0, por humbi në duelin e kthimit 3:2, për t’u eliminuar. Suksesin më të madh në Evropë e ka arritur në Ligën e Evropës në sezonin 2020/2021. Kishte shkuar deri në rrethin e tretë të kësaj gare. Ishte eliminuar nga Legia e Varshavës 2:0. E pas kësaj përvoje evropiane, Zymeri thotë se ekipi është gati për hapin e madh - kualifikimin në fazën e grupeve. Megjithatë pranon se ka diçka që deri më tani e ka penalizuar Dritën për ta bërë hapin e madh.

“Ajo që na bën krenarë është paraqitja e ekipit, por sigurisht që mungon diçka. Nuk është përvoja në pyetje ajo që nuk po na lejon të bëjmë atë hapin e madh. E them këtë sepse më nuk mjaftojnë më vetëm paraqitjet e mira. Ne duhet të bëjmë shumë më shumë”, ka pranuar Zymberi. “Duhet të bëjmë më shumë si ekip dhe duhet ta gjejmë mënyrën. E dimë se çka po na mungon, por kjo nuk është për fajin tonë. Infrastruktura është problemi i vetëm që po na penalizon dhe po na lejon të bëjmë hapin e madh. Nuk kemi ritëm në kampionat me intensitet të lartë dhe nuk po kemi në kontinuitet ndeshje në stadiume të mira”.

Megjithatë, Zymberi thotë se Drita do të insistojë të kërkojë më shumë nga paraqitja në Evropë. Ai nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen e afërt, qoftë edhe vitin tjetër, Drita të kualifikohet në fazën e grupeve të cilësdo garë të UEFA-s.

“Absolutisht, jemi të projektuar në atë drejtim, të shkojmë në fazën e grupeve në cilëndo garë të UEFA-s. Jam i bindur se shumë shpejt do ta arrijmë edhe këtë, pasi kemi dëshmuar se mund të matemi me secilin rival në Evropë”, tha Zymberi.

E për ta synuar fazën e grupeve, Drita pas eliminimit ka kthyer fokusin kah Superliga e Kosovës, që nis më 13 gusht.

“Tash, fokusi është në kampionat për ta respektuar rrugën që të kthehemi në garat evropiane edhe sezonin tjetër. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe sigurisht se do të luftojmë për një vend që e siguron Evropën. Ne tashmë kemi bërë gjëra të mëdha nga ky kampionat si ekip, por kërkojmë më shumë në arenën ndërkombëtare”, shtoi Zymberi.