Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Drita edhe një hap drejt titullit

Drita ka bërë një hap të rëndësishëm në garën për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll.

Ekipi nga Gjilani ka përforcuar edhe më shumë pozitën e parë me fitoren që e shënoi të martën në shtëpi ndaj Drenicës. Ndeshja që i takoi xhiros së parafundit (32), përfundoi me rezultatin 1:0 në favor të ekipit vendas. Golin e fitores për Dritën e shënoi sulmuesi i krahut, Xhevdet Shabani në minutën e 48-të. Me këtë fitore Drita është ngritur në kuotën e 68 pikëve, duke lënë prapa Gjilanin (64) dhe Ballkanin (63), skuadra që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar dhe do të përballen mes vete të mërkurën. Ndërkohë, Drenica me këtë humbje i ka vështirësuar edhe më shumë punët sa i përket mbetjes në elitën e futbollit kosovar për edicionin e ri. Ka mbetur në pozitën e tetë në tabelë me 41 pikë të tubuara, tri më shumë se Trepça ’89 që ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe gjendet në zonën që edicionin tjetër dërgon në Ligën e Parë.