Boksierja Donjeta Sadiku mundohej të qëndronte e fortë, ndonëse në fytyrën e saj vërehej dëshpërimi. Ajo nuk do të marrë pjesë në Botërorin që mbahet në Indi prej të mërkurës. Është hera e tretë që Donjeta Sadikut i pamundësohet pjesëmarrja në ngjarjen globale. Dhe në të tri rastet këtë ia mohojë India.
23-vjeçares i ishte mohuar hyrja në Indi në vitet 2017 dhe 2018. Këtë herë autoritet indiane u pajtuan t’ia lëshojnë vizën, por kushtëzuan paraqitjen me heqje dorë nga simbolet e Kosovës. Kjo nuk u pranua.
Boksierja e kategorisë deri 60 kilogramë thotë se ka qenë maksimalisht e përgatitur për të fituar medalje në Indi.
“Jam përgatitur maksimalisht së bashku me trajneren time Marjola Sallauka për të pasur një paraqitje sa më të mirë në këtë Botëror. Mirëpo nuk ndodhi siç e kemi menduar. Më është mohuar edhe njëherë mundësia për t’u paraqitur në Indi. Kam thënë edhe më herët që synimi në Indi ka qenë të fitojë medalje për ta ngritur flamurin sa më lart në Indi, mirëpo nuk ndodhi. Dëshpërimi është i madh, por nuk do të dorëzohem. Këtë padrejtësi do ta kthej në forcë dhe medalje. Këtë do t’ua vërtetoj të gjithëve në muajin qershor”, ka thënë Sadiku për KOHËN.
Ajo insiston se ka qenë në formë të lartë dhe e uritur për t’i siguruar Kosovës medalje në Kampionatin Botëror.
“Forma ime ka qenë mjaft e mirë. Ka qenë një formë që nuk e kam pasur më herët asnjëherë. Kjo formë ka ardhur prej momentit që kam marrë lajmin që Kampionati Botëror do të mbahet në Indi. E kam çmuar shumë këtë kampionat. Kam dashur që në këtë kampionat të fitoj medalje për ta ngritur flamurin tonë sa më lart në atë vend”, është shprehur tutje Sadiku.
Në qershor, Donjeta Sadiku ka edhe një mundësi për të fituar normë për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Ajo pritet të jetë pjesëmarrëse në Lojërat Evropiane që mbahen në Poloni.
“Unë dua që në qershor të kualifikohem për Paris dhe po shpresoj shumë. Nga kjo ngjarje do t’i sjelli medalje Kosovës, pasi është garë për kualifikim. Kjo padrejtësi më bën të ushtroj edhe më shumë për të treguar se nuk do të mund të më ndal askush”, është shprehur Donjeta Sadiku.
Autoritetet indiane vetëm të hënën janë pajtuar që të lëshojnë viza për delegacionin kosovar, por kanë kushtëzuar paraqitjen me heqjen dorë nga simbolet.
Donjeta vjet ka fituar medalje të bronztë evropiane dhe botërore. Në Indi ka synuar tjetër vend në podium.
“Dëshpërimi është në mua, mirëpo nuk kam kohë për dëshpërim dhe këtë dëshpërim do ta kthej në forcë dhe synimi im është Parisi 2024. Besoj se do t’ia arrij të fitoj medalje olimpike”.
Donjeta ngul këmbë se në qershor do t’i tregoj botës se Kosova ka sportistë që mund të fitojnë medalje edhe nëse përballen gjatë me diskriminim.
“Kosova është një vend i vogël, por ka sportistë me zemër të madhe dhe të cilët nuk dorëzohen për t’i plotësuar ëndrrat e tyre. Do t’ua vërtetoj të gjithëve që në qershor këtë dëshpërim dhe padrejtësi ta kthej në medalje”.
Donjeta gradualisht po e kthen lavdinë e boksit kosovar, që e kishte me gjeneratën e artë të Prishtinës. Ishte pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike, që u mbajtën në Tokio. Por nuk pati sukses për shkak të lëndimit, ndërsa vitin e ardhshëm synon medalje në Paris.