Në një konkurrencë të fortë me Loriana Kukën, Distria Krasniqi ka fituar çmimin Sportistja më e mirë e Vitit 2020.
Distria për herë të parë shpallet më e mira e vitit nga KOHA.
Ajo e mbyll vitin si e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 48 kilogramë. Ajo fitoi të artën në Grand Slamin e Parisit më 8 shkurt. Gara të tjera të xhudos nuk u mbajtën deri në tetor, ndërsa Distria u kthye po me të artë në Grand Slamin e Budapestit, më 23 tetor. Më 19 nëntor e fitoi medaljen e bronztë në kampionatin evropian.
Pos në Evropian, Distria është dukur e pandalshme gjatë vitit 2020. Forma e saj jep shpresë për medalje olimpike në vitin e ardhshëm.
“Edhe pse ka qenë një vit i vështirë jo vetëm për mua por për të gjithë sportistët, në të gjitha garat që kam shkuar, jam kthyer me medalje. Kam filluar shumë mirë me Grand Slamin e Parisit, ku kam bërë gara në një kategori tjetër dhe kam marrë medaljen e artë. Pastaj ka qenë më vështirë pasi ishim të mbyllur, por stërvitjet nuk janë ndalur. Jam përgatitur dhe kam marrë medalje në Grand Slamin e Budapestit, ndërsa tash së fundmi në Kampionatin e Evropës”, ka thënë Krasniqi.
“Jam në formë të mirë sepse nuk i kam ndalur ushtrimet dhe e kam rritur performancën gjatë këtyre muajve. Kam punuar shumë pasi që nuk kam pasur shumë gara. Kam punuar që ta përmirësojë veten, në gjërat që i kam bërë gabim gjatë luftërave. Kështu që jam në formë të mirë dhe shpresoj që në këtë vitin që po vjen, do të jem edhe më e mirë se në këtë vit”, ka shtuar Krasniqi.