Sport

Diar Vokrri, futbollisti i xhiros

Futbollisti i Llapit, Diar Vokrri, është shpallur më i miri i xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës. Përzgjedhjen pas çdo xhiroje kampionale e bën Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht një komision i përbërë nga veteranë të futbollit.

Komisioni e ka vlerësuar më të mirin mbrojtësin llapjan “pasi ai gjatë gjithë ndeshjes me Dritën pati paraqitje të shkëlqyer në fazën defanzive, ndërsa ishte asistues në golin e fitores”.

“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam shumë i lumtur për çmimin ‘Ylli i Javës’ . Është hera e parë që e fitoj këtë çmim dhe kjo më jep motiv shtesë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen. Fitorja kundër Dritës na shtyn para drejt synimeve tona në këtë edicion, pasi e dimë që Llapi këtë edicion është pretendent për titull dhe shpresojmë që në fund ta festojmë. Falënderoj bashkëlojtarët dhe klubin, ngase pa mbështetjen e tyre nuk do të isha sot këtu”, ka theksuar Diar Vokrri për faqen zyrtare të FFK-së.

Xhiroja e 19-të ishte e para për stinorin pranveror të Superligës së Kosovës.

Llapi të shtunën fitoi 1:0 ndaj Dritës në Gjilan.