Futbollisti i Llapit, Ilir Blakçori, është shpallur “ylli i javës” së tretë në Superligën e Kosovës.
Mbrojtësi i krahut të majtë, Blakçori, shënoi golin e parë në fitoren 2:1 të Llapit ndaj Fushë Kosovës, të dielën.
Komisioni i FFK-së, të cilin e përbëjne veteranët e futbollit, ka vlerësuar se Blakçori ishte stabil në mbrojtje dhe shumë i dobishëm në fazën e sulmit.
“Është kënaqësi të shpallesh më i miri i xhiros. Për mua ky është çmimi i parë dhe ndihem tejet i vlerësuar. Kjo do të ishtë e pamundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe shtabin teknik, andaj shfrytëzoi rastin t'i falënderoj për bashkëpunimin. Këtë edicion e kemi nisur mbarë, ndonëse kemi ndërtuar një ekip pothuajse të ri. Na duhet akoma kohë që të komponohemi për të paraqitur në fushën e gjelbër më të mirën tonë. Atmosfera në ekip është e mirë dhe besoj që performanca jonë do të na dërgojë sa më lart në renditje”, ka thënë Ilir Blakçori për faqen zyrtare të FFK-së.