Drenica e Skenderajt i ka humbur dy ndeshjet e para të stinorit pranveror të Vala Superligës së Kosovës në futboll. Në hapje u mposht 4:0 nga Trepça '89 në Mitrovicë, kurse të premten humbi 6:0 nga Prishtina në Podujevë.
Te Drenica nuk duan të minimizojnë fitoret e skuadrave rivale apo të arsyetojnë futbollistët e tyre, por megjithatë vlerësojnë se “gisht” në këto dy humbje të thella kanë personat përgjegjës për të ndarë drejtësinë në fushë – arbritrat, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drenica të dielën ka bërë një reagim publik për qasjen e arbitrave ndaj saj. Ka vlerësuar të jetë dëmtuar edhe në vjeshtë dhe se njëjtë është vazhduar edhe në hapje të edicionit pranveror. Në klubin nga Skenderaj vlerësojnë se në ndeshjen në Mitrovicë pati shumë gabime të arbitrave, por se kanë heshtur për t'i kontribuar mirëmbajtjes së garave dhe duke mos dashur të besojnë se ishte diçka e qëllimtë.
“Mirëpo, dueli ndaj Prishtinës mendojmë që e pasqyroi edhe njëherë qasjen negative të gjyqtarëve ndaj klubit tonë. Gjyqtari Tefik Maloku në pjesën më të madhe të ndeshjes ka qenë në pritje të ndëshkimit të skuadrës sonë”, thuhet në reagim.
Drenica vlerëson se arbitri pa të drejtë ka përjashtuar Kushtrim Lushtakun dhe se nuk ka dhënë shumë faulle të shkaktuara ndaj tij. Po ashtu në reagim thuhet se për fyerje, arbitri nuk ka ndëshkuar lojtarët e Prishtinës, përkatësisht se ka përdorur kritere të dyfishta.
“U bëjmë thirrje edhe njëherë organeve të FFK-së që të kenë kujdes të shtuar dhe të marrin masat e nevojshme preventive që gjyqtarët të mos përcaktojnë fatin e ndeshjeve tona. Kërkojmë të merren masa që të mos dëmtohemi, përndryshe ne si klub nuk do të marrim përgjegjësi për sjelljet ndaj gjyqtarëve në ndeshjet e ardhshme. Ky nuk është kërcënim, por paralajmërim. Gjyqtarët janë për të ndarë drejtësinë e jo për të dirigjuar dhe përcaktuar fituesit”, thuhet në reagimin e Drenicës.
Për ndarje të drejtësisë të shtunën reagoi edhe trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina. Ekipi i tij humbi nga Llapi, 1:0.