Mbrojtësi i krahut të djathtë, Sergino Dest, do të largohet nga Milani por jo edhe nga futbolli italian. “Calciomercato” raporton të martën se 22-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës së Juventusit në verë.
Dest u huazua te Milani nga Barcelona para fillimit të këtij edicioni, por ekipi italian nuk do ta shfrytëzojë opsionin e blerjes së tij për 16 milionë euro. E këtë shumë pritet ta ofrojë Juventusi për t’i siguruar shërbimet e tij me të përfunduar sezoni aktual.
Dest te Juventusi po shihet si zëvendësim ideal për Juan Cuadradon, i cili në verë do të mbetet lojtar i lirë. Amerikani ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2025, ndërsa këtë sezon ka regjistruar 14 paraqitje për Milanin në të gjitha garat.