Lindrit Kamberi dhe Bledian Krasniqi ishin dy prej disa futbollistëve shqiptarë të Zuerichut që folën pas disfatës së thellë në derbi ndaj Grasshoperit, të dielën me shifrat 4:1.
Kampioni i Zvicrës nuk ka asnjë fitore në 13 ndeshje. Të dielën pësoi disfatën e shtatë, ndërsa ka edhe gjashtë barazime. Zë vendin e fundit me gjashtë pikë. Pas disfatës të dielën, futbollistët e Zuerichut u vërshëllyen, ndërsa Kamberi dhe Krasniqi u japin të drejtë tifozëve të klubit.
“Unë them se pas një paraqitjeje të tillë e kemi merituar. Kam mbetur pa fjalë. Është e vështirë të përshkruhet me fjalë”, ka thënë Kamberi, raporton “20min.ch”.
Edhe Krasniqi thotë se humbja në derbi është përjetuar rëndë. “Vërtet dhemb shumë”, ka theksuar shkurt Krasniqi. Golin e vetëm për Zuerichun të dielën e shënoi Blerim Xhemaili. Te Zuerichu janë edhe Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Selmin Hoxha dhe Donis Avdijaj.