Skena është vendosur për një garë midis Arsenalit dhe Manchester Cityt për titullin e kampionit në Premier League. Dhe ky skenar do të bëhet më i mundshëm nëse dy skuadrat i fitojnë ndeshjet e tyre në derbit e këtij vikendi.
Në të vërtetë deri të dielën mbrëma numri i skuadrave potencialisht të përfshira në garën për titull mund të rritet lehtësisht në pesë. Disa ndeshje të mëdha e vendosin këtë.
I pari është derbi i qytetit të Manchesterit të shtunën, kur City – që po duket gjithnjë e më jobindës - përballet me Unitedin që po regjistron rezultatet më të mira në katër vjetët e fundit.
Tetë fitore radhazi në të gjitha garat. Nëntë fitore radhazi në “Old Trafford”, ku e pret Cityn, të shtunën prej orës 13:30 në kuadër të xhiros së 20-të. Unitedi, të cilit nuk po i mungon aspak Cristiano Ronaldo, po mbushet me vetëbesim nën urdhrat e trajnerit Erik ten Hag dhe po kërkon ta korrigjojë humbjen e turpshme, 6:3, nga City në fillim të tetorit.
“Duhet të dëshmojmë këtë herë se nuk luajtëm mirë në humbjen e fundit dhe për këtë arsye e kemi për obligim të bëjmë një paraqitje fantastike ndaj Cityt. Jemi ngritur mirë kohët e fundit dhe mendoj se jemi gati të përballemi me skuadra të forta. Mendoj se ajo humbje ishte një mësim ndaj të cilit reflektuam dhe tani jemi për ta dëshmuar rritjen tonë”, ka thënë Ten Hag të premten.
Edhe
Derbi i Manchesterit dhe derbi i Londrës në fundjavë
Asnjë trajner i Unitedit nuk ka arritur 20 fitore më shpejt se Ten Hag - në 27 ndeshje. Por fitoret e fundit duhet të merren me rezervë duke pasur parasysh kundërshtarët me të cilët është përballur Unitedi, përfshirë dy ekipe të ligës më të ulët në garat për kupa dhe katër nga gjashtë skuadrat e vendeve të fundit në Premier League.
“Duhet të jemi të guximshëm dhe ta luajmë lojën tonë pasi vetëm në këtë mënyrë mund të marrim rezultatin e dëshiruar ndaj një ekipi të fortë të Cityt”, insistoi Ten Hag.
Bazuar në formën aktuale, Unitedi nuk duket skuadër inferiore ndaj Cityt. Fitoret e njëpasnjëshme ndaj Chelseat, në ligë dhe më pas në Kupën FA, dukej se po e kthenin Cityn në rrugën e duhur. Por humbja nga Southamptoni (2:0) në Kupën e Ligës të mërkurën jo vetëm që i dha fund synimit të skuadrës për katër trofe këtë sezon, por ngriti pyetje në lidhje me thellësinë e skuadrës së Pep Guardiolës në pozita të caktuara.
City ka lëshuar pikë në dy nga katër ndeshjet e fundit në kampionat, të dyja në shtëpi. Humbi 2:1 ndaj Brentfordit dhe barazoi 1:1 me Evertonin. Aktualisht nuk duket si “makina” që mund të vazhdojë gjatë me fitore për të marrë kontrollin e një gare për titull, siç kanë bërë ekipet e trajnerit Pep Guardiola në të kaluarën. Në mënyrë shqetësuese, City nuk pati asnjë goditje të vetme në portë kundër Southamptonit, pavarësisht se lojtarët si Kevin de Bruyne dhe sulmuesi Erling Haaland u inkuadruan në pjesën e dytë.
“Ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, por sigurisht se është një duel shumë i rëndësishëm për ne. Përballemi me Unitedin dhe nuk mund ta mohojmë cilësinë që e ka treguar së fundmi. Nuk më intereson se çfarë ndodhi në Southampton, pres reagim të menjëhershëm të ekipit. Na pret një derbi shumë atraktiv, me dy ekipet që duan të fitojmë”, ka thënë trajneri i Cityt, Pep Guardiola.
Mbyllja e xhiros së 20-të do të bëhet me derbin e Londrës veriore, të dielën prej orës 17:30. Lideri Arsenali luan me Tottenhamin, që është vendas.
Arsenali udhëheq me 44 pikë nga 17 ndeshje. Man City është i dyti me 39 pikë. Pasojnë Newcastle e Unitedi me nga 35 pikë, por Newcastle ka një ndeshje më shumë. Tottenhami është i pesti me 33 pikë, ndërsa ka luajtur 18 ndeshje.
Edhe
Derbi i Manchesterit në Premier League
Tottenhami i ka fituar tri ndeshjet e fundit në shtëpi ndaj Arsenalit, por në fillim të këtij muaji u mposht si vendas nga Aston Villa.
Nëse Arsenali dhe City fitojnë, atëherë do të lënë Unitedin dhe Tottenham goxha prapa. Newcastle e pret Fulhamin dhe pritet të vazhdojë garën. Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 15:00.