Sport

Derbi i Gjilanit sërish zhvendoset në Prishtinë, për të njëjtat arsye

Drita dhe Gjilani do të përballen të dielën në kuadër të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 15:00 dhe do të jetë hera e dytë që ky derbi lokal zhvendoset në kryeqytet. Hera e parë ishte në vitin 2019. Ndërkohë, është dueli i 37-të në kuadër të kampionatit ndërmjet skuadrave nga Anamorva. Edhe kësaj radhe zhvendosja ka ndodhur për shkak se stadiumi i qytetit në Gjilan është duke u rregulluar dhe nuk i plotëson kushtet për një takim të tillë. Po ashtu, është edhe aspekti i sigurisë që bëhet nga Policia e Kosovës. Herën e parë kur ishte zhvendosur derbi në Prishtinë, policia nuk kishte garantuar siguri në Gjilan, shkaku i stadiumit dhe numrit të madh të shikuesve që e përcjellin këtë ndeshje. Njoftimin për zhvendosjen e derbit për herë të dytë e ka bërë Drita, që është nikoqire të mërkurën.

“FC Drita si nikoqire ju njofton se kryendeshja e javës së gjashtë në Superligë mes klubit tonë dhe SC Gjilanit do të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’” në Prishtinë.

Derbi më i madh lokal, FC Drita – SC Gjilani, do të zhvillohet në Prishtinë për shkak të punimeve në stadium dhe sigurisë së tifozëve tanë. Në gjendjen aktuale, stadiumi ‘Selami Osmani – Bezi’ është në restaurim dhe nuk i plotëson kushtet për një ndeshje derbi të tillë”, thuhet në njoftimin e Dritës.

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, e pranon se kanë qenë në dijeni se derbi nuk mund të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan. Ai thotë se fusha në stadiumin “Fadil Vokrri” është shumë e mirë dhe do të jetë pozitive për të dyja skuadrat.

“Në fakt, e kemi ditur që do të jetë e vështirë organizimi i derbit në qytetin tonë për shkak të punimeve dhe sigurisë së ulët. Për ne nuk ka rëndësi se ku do të luajmë, madje do të jetë fushë më e mirë ajo në ‘Fadil Vokrri’ dhe neve na konvenon për shkak të cilësisë në skuadër. Mendoj që për të dyja ekipet është më mirë”, tha Limani.

Kapiteni i Dritës e vlerëson Gjilanin, por thekson se do të hyjnë në fushë vetëm për fitore. Ai pohon se do t’i kenë pas vetes edhe “Intelektualët” që do ta përkrahin klubin nga tribunat.

“Ne jemi gati të vazhdojmë serinë e mirë dhe nuk shohim rezultat tjetër përpos fitores, megjithëse do të jetë ndeshje shumë e vështirë, sepse edhe Gjilani gjithashtu ka shumë cilësi në skuadër. Unë mendoj që kudo që do të luajmë do t’i kemi prapa tifozët tanë. Nuk do të jetë asnjë problem për ta dhe jemi të sigurt që do t’i kemi me vete në Prishtinë”, u shpreh Limani.

Me ndërrimin e lokacionit nuk është i kënaqur kapiteni i Gjilanit, Ylber Kastrati.

Ai ka thënë për KOHËN se është i zhgënjyer që qytetarët e Gjilanit nuk do të mund ta shohin nga afër këtë përballje.

“Fillimisht jam i zhgënjyer që festa e qytetit të Gjilanit që është derbi nuk mund të shfaqet në qytet, shkau i stadiumit. Kjo për vetë Gjilanin është zhgënjyese”, u shpreh Kastrati.

Ai theksoi se për lojtarët nuk është problem që do të luajnë në Prishtinë. Madje, thotë se fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet u jep mundësi që t’i shfaqin të gjitha aftësitë dhe të arrijnë atë që duan.

“Ne nuk e kemi problem, kudo që luajmë do ta japim maksimumin. Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ besoj që do të na jep mundësi të shfaqim aftësitë futbolliste, si ato në aspektin teknik, taktik dhe po ashtu ato fizike”, deklaroi Kastrati. “Vazhdojmë të marrim mbështetje të fuqishme nga ‘Skifterat’, të cilëve u jemi shumë borxhli. Besoj që me motivin që po na vjen nga jashtë dhe forcën e ekipit brenda, do t’ia dalim si grup”.

Drita dhe Gjilani do ta luajnë derbin numër 37 në kuadër të Superligës. Drita ka bilanc më të mirë, ku ka shënuar 14 fitore, 12 ndeshje janë mbyllur me rezultat të barabartë dhe dhjetë herë ka triumfuar Gjilani. Në sezonin e ri Drita ka 11 pikë pas pesë ndeshjeve dhe renditet e dyta në tabelë me pikë të njëjta me Ballkanin. Ndërkohë, Gjilani zë vendin e pestë me gjashtë pikë. Ka një fitore, tri barazime dhe ka pësuar një humbje. Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, vetëm 10 për qind e kapacitetit të stadiumit mund të shfrytëzohet nga tifozët. Që i bie se në stadium mund të jenë vetëm rreth 1500 shikues.