Sport

“Dardanët”, të gatshëm për ndeshjet parakualifikuese

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të shtunën ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet në kuadër të parakualifikimeve për “FIBA Eurobasket 2025”. Kosova rrugëtimin në këto parakualifikime do ta nisë në udhëtim te Norvegjia. “Dardanët janë në grupin C së bashku me Norvegjinë dhe Danimarkën.

Stërvitjen e parë të “Dardanëve” e udhëhoqi ndihmëstrajneri, Bujar Loci së bashku me Arbnor Rifatin dhe Dritro Sefaja.

Përzgjedhësi Christos Marmarinos ka munguar në stërvitjen e parë, por do të bashkohet me skuadrën të dielën.

Në një atmosferë të mirë basketbollistët kosovarë të motivuar synojnë të paraqiten sa më mirë.

Kosova fillimisht do të luajë me Norvegjinë në udhëtim më 25 nëntor derisa më 28 nëntor në Prishtinë e pret Danimarkën. Kosova të hënën do të udhëtojë drejt Norvegjisë, ku do t'i mbajnë disa stërvitje para ndeshjes.

Për ndihmëstrajnerin, Bujar Loci koha për t’u përgatitur për këto dy takime nuk është e mjaftueshme megjithatë shpreson të arrihet rezultat pozitive.

“E dimë se nuk ka kohë të mjaftueshme për të përgatitur skuadrën për këto dy takime. Do të kemi tri stërvitje të përbashkëta. Ne do të japim çdo gjë nga vetja që të paraqitemi sa më mirë dhe të nxjerrim rezultat pozitiv me Norvegjinë.

Kundërshtarin nuk e njohim edhe aq mirë pas ka vite që nuk ka qenë pjesë e kompetecioneve të tilla mirëpo do të kemi besoj kohë për të studiuar në detaje skuadrën kundërshtare”, deklaroi Loci. I motivuar para këtyre dy takimeve është shprehur edhe kapiteni, Dardan Berisha.

Basketbollisti i Pejës do të jetë i gatshëm për takimin me Norvegjinë, përkundër se nuk u paraqit në ndeshjen e fundit me pejanët.

Berisha është i gatshëm të ndihmojë bashkëlojtarët për të ardhur te fitorja.

“Kemi nisur përgatitjet dhe shpresojmë që gjithçka të shkoj në mënyrën më të mirë. Besoj që kemi përparësi, pasi e njohim njëri-tjetrin më mirë dhe do të jetë më e lehtë. Do të udhëtojmë në Norvegji vetëm për fitore. Nuk do të jetë aspak e lehtë, por shpresoj që së bashku me bashkëlojtarët do të arrijmë deri te fitorja. Jemi shumë të motivuar dhe jemi të gatshëm për këtë takim. Do të kemi edhe një ndeshje tjetër në shtëpi me Danimarkën, por fillimisht do të mendojmë vetëm për takimin me Norvegjinë”, u shpreh Berisha. Te “Dardanët” në këtë ndeshje do të mungojë basketbollisti Mikaele Tmusiq, përderisa nuk dihet se a do të arrijë të rikuperohet edhe Gëzim Morina.

Takim të rëndësishëm përballjen me Norvegjinë e ka cilësuar edhe basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi.

Madje, basketbollisti kosovar beson se aktivizimi me skuadrat e tyre do t’u ndihmojë edhe më shumë për të qenë sa më të gatshëm për këtë ndeshje.

Për Hajrizin e rëndësishme është që të luajnë si ekip e të prezantojnë në mënyrën më të mirë shtetin e Kosovës.

“Të gjithë lojtarët kemi qenë aktivë me skuadrat, kështu që sa i përket çështjes fizike besoj se të gjithë jemi të gatshëm. Kundërshtarin e njohim shumë pak. Norvegjia mund të them që nuk është në nivelin e njëjtë me Danimarkën. Ne do të luajmë në udhëtim, shpresojmë që të luajmë të gjithë të bashkuar ta ndihmojmë njëri-tjetrin, t'i kemi primare ngjyrat e shtetit dhe të kthehemi me rezultat pozitiv nga ky takim”, deklaroi Hajrizi.

Kosova ndeshjen e parë e luan në udhëtim më 25 nëntor te Norvegjia, derisa përballja e dytë zhvillohet në Prishtinë më 28 nëntor ndaj Danimarkës. Katër skuadra, tre fituesit e grupeve dhe një kombëtare e cila është e renditur në pozitën e dytë, më së miri do të kualifikohen për rundin e dytë para-kualifikues. Rundi i dytë do të mbahet midis: gusht 2022, nëntor 2022, shkurt 2023.