Sport

“Dardanët” kërkojnë t’i nisin me fitore parakualifikimet për “Eurobasket 2025”

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll synon fitore në ndeshjen e parë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Kosova e nis rrugëtimin në këto parakualifikime në udhëtim te Norvegjia, që kthehet në skenën evropiane pas dy dekadave. Kjo ndeshje zhvillohet të enjten në qytetin Bergen, në të cilin Kosova është vendosur prej të hënës dhe ku ka mbajtur dy seanca stërvitore. E dy stërvitje të tjera, Kosova i ka zhvilluar edhe në Prishtinë.

Përballja nis në orën 19:00 dhe i takon Grupit C të fazës së parë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Vendi i parë kualifikohet tutje, si dhe vendi i dytë më i mirë nga të tri grupet e fazës së parë parakualifikuese. Katër përfaqësuese kalojnë në rrethin e dytë parakualifikues. Te Kosova janë shprehur optimistë para ndeshjes me norvegjezët. Kapiteni Dardan Berisha është i bindur se do ta japin më të mirën nga vetja, jo vetëm ndaj Norvegjisë, por edhe Danimarkës. Me Danimarkën, Kosova luan të dielën në Prishtinë.

“E dimë rëndësinë e ndeshjeve dhe sigurisht se do të japim maksimumin në këto dy përballje. Fillimisht, do të luajmë me Norvegjinë dhe aty e kemi fokusin kryesor përpara se të takohemi me Danimarkën. Besoj se të gjithë do të japin më të mirën nga vetja në ndeshjen me Norvegjinë. E po ashtu, shpresoj në rezultate pozitive në të dyja përballjet”, është shprehur Berisha.

Edhe përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos ka pranuar se synimi i Kosovës në ndeshjen kundër Norvegjisë është fitorja. Marmarinos nuk e ka përfshirë në ekip asnjë lojtar të natyralizuar. Trajneri grek ka pranuar se ekipi nuk ka mundur të përgatitet siç është dashur, për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, por pret paraqitje të mirë të Kosovës në këtë takim.

“Ne duam të fitojmë dhe të jemi më të mirë në çdo aspekt. Të gjitha ndeshjet ndërkombëtare janë të rëndësishme për Kosovën, që po ashtu e ka synim t’i bëjë krenarë kosovarët në mbarë botën”, ka thënë Marmarinos.

Është kjo ndeshja e parë mes Norvegjisë dhe Kosovës. Në shitje kanë dalë 1200 bileta, kurse Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) i ka ftuar shqiptarët në Skandinavi që t’i përkrahin “Dardanët” në ndeshjen që zhvillohet në qytetin e Bergenit. Edhe FBK-ja ka shkruar se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe shpresohet në rezultate pozitive.

“Është e papërshkrueshme ajo forcë shtesë që na japin tifozët dhe shpresoj të vijnë në numër sa më të madh dhe t’i gëzojmë me fitore. Jam shumë i lumtur sepse në dy grumbullimet e fundit nuk kam mundur të jem pjesë e përfaqësueses. Shpresoj në paraqitje të mira. Ne do të luajmë për fitore në dy ndeshjet, pastaj varet nga forma dhe detajet e tjera”, ka thënë basketbollisti i Golden Eagle Yllit, Gëzim Morina.

Norvegjia udhëhiqet nga trajnerët Mathias Eckhoff dhe Audun Eskland, të cilët për ndeshjen me Kosovën kanë ftuar 15 lojtarë. Nuk është llogaritur në lojtarët që bëjnë karrierë në kolegjet e SHBA-së, ndërsa prej të ftuarve, dhjetë janë të klubeve norvegjeze, e pesë të klubeve nga vende të tjera evropiane.

Duelin e kthimit me Norvegjinë, Kosova e luan në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa në fund të qershorit e përmbyll këtë fazë në udhëtim kundër Danimarkës. Dështimi në disa cikle kualifikuese e ka sjellë Kosovën në raundin e parë të fazës parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Kjo është faza më e hershme e mundshme e kualifikimeve. Përfaqësueset e tjera që paraqiten në fazën e parë parakualifikuese të Eurobasketit të vitit 2025 janë edhe Qiproja, Austria, Zvicra, Irlanda në grupin A ndërsa Shqipëria, Luksemburgu e Rumania në grupin B.