Sport

“Dardanët” besojnë në fitore, sot nisen drejt Çekisë

Me brohoritjet “Kosova, Kosova”, “Duam fitore” dhe “Vedat Muriqi” janë pritur futbollistët e Përfaqësueses në stërvitjen e dytë që e mbajtën të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”. Dhjetëra tifozë përcollën stërvitjen e fundit të Kosovës në Prishtinë para ndeshjes me Çekinë, të enjten. Përfaqësuesja do të niset të mërkurën për Plzen, ku do të luhet ndeshja e parafundit eliminatore për “Euro 2020”.

Në stërvitje ishin të pranishëm të gjithë futbollistët, me përjashtim të sulmuesit Vedat Muriqi, që për shkak të lëndimit nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë Kosovës në ndeshjet ndaj Çekisë dhe Anglisë, të dielën në Prishtinë. I vetmi prej lojtarëve që nuk stërviti me grupin ishte mesfushori Herolind Shala, por për të cilin ka shpresa të mëdha se do të jetë në gjendje të paraqitet në dy ndeshjet e rëndësishme që do të luhen gjatë kësaj jave.

Shala ka pësuar një dëmtim të lehtë në ndeshjen e fundit me ekipin e tij dhe në stërvitjen e fundit punoi ndaras. Ndërkohë Leart Paqarada, që gjithashtu kishte një shqetësim, të martën ka stërvitur pa problem me pjesën tjetër të ekipit. Kosova pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara në kuadër të Grupit A zë vendin e tretë me 11 pikë, një më pak se Çekia, që është e dyta, dhe katër më pak se Anglia, që prin. Kosovës i duhet fitorja në Çeki për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim. Me humbje, Çekia siguron kualifikimin pa pasur nevojë të presë ndeshjen e fundit me Bullgarinë.

Stërvitja e së martës ishte e hapur 20 minuta për të gjithë të pranishmit dhe zgjati 75 minuta. Pas vrapimeve futbollistët kanë punuar me top dhe kryesisht në përgatitjen taktike për duelin me Çekinë që po vlerësohet si finale për Kosovën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)