Pak më shumë se 60 orë pas dramës së jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, Manchester City dhe Tottenhami do të përballen sërish në stadiumin “Etihad”, por këtë herë në kuadër të Premier Leagues. Ndeshja zhvillohet të shtunën (sot) prej orës 13:30 në kuadër të xhiros së 35-të.
Ëndrra e Cityt për të fituar katër trofe këtë edicion përfundoi të mërkurën mbrëma. Tottenhami e eliminoi Cityn në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, edhe pse u mposht në ndeshjen e dytë 4:3, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Ekipit londinez i mjaftoi fitorja 1:0 në duelin e parë për t'u kualifikuar në mesin e katër skuadrave më të mira të Evropës.
Fati i titullit të kampionit në Premier League mbetet në duart e ekipit të Pep Guardiolas, pasi mund të shpallet kampion nëse i fiton të pesë ndeshjet e mbetura të edicionit. City është i dyti në tabelë me 83 pikë, dy më pak se Liverpooli që është lider, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndërkohë, Tottenhami renditet i treti me 67 pikë, duke lënë pas vetes Arsenalin (66), Chelsean (66) dhe Manchester Unitedin (64) që po luftojnë për një vend që dërgon edicionin tjetër në Ligën e Kampionëve.
Kështu që, dueli me Tottenhamin në kampionat pas eliminimit në Ligën e Kampionëve është një provë e madhe karakteri për skuadrën e Cityt, që nuk e përjetoi mirë largimin nga gara më elitare e Evropës.
“Duhet të reagojmë menjëherë edhe pse koha është e shkurtër, dhe përballë kemi ekipin e njëjtë që na eliminoi nga Liga e Kampionëve. Por tashmë nuk duhet të mendojmë për Ligën e Kampionëve, fokusi është në kampionat. Besoj se do të jemi të gatshëm për të reaguar, pasi fatin e kemi në duart tona”, është shprehur Guardiola. “Kemi luftuar gjatë këtyre dhjetë muajve në Premier League dhe nuk duhet assesi të tërhiqemi. Do të jetë një përballje e fortë dhe e vështirë, por ne duhet ta tejkalojmë, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)