Chievo rinis nga Sergio Pellisierin, ka shkruar “Sky Sport Italia” të martën. Pas përjashtimit të AC Chievo Veronas nga ligat profesionale të Italisë për shkelje të taksave, ish-sulmuesi dhe kapiteni i klubit, Sergio Pellisier, nuk është dorëzuar. Pellisier tashmë ka themeluar një klub të ri, FC Chievo 1929 që tashmë ka marrë përkatësinë në Federatën e Futbollit të Italisë (FIGC) me numrin e regjistrimit 954015.
Në fakt, ditë më parë Chievo Verona u përjashtua përfundimisht nga Serie B për sezonin 2021/22, pasi u shpall klub i falimentuar. Çdo klub në Itali duhet të dëshmoj statusin e tij financiar para se të lejohet të regjistrohet për sezonin e ri, duke minimizuar rrezikun që mund të falimentojë gjatë kampanjës. Chievo nuk u lejua të regjistrohej, pasi kishte pagesa të pashlyera të taksave dhe ankesat e klubit i refuzuan të gjitha, gjë që dërgoi në shpërbërjen e ekipit. Kjo do të thotë që Chievo, në fakt, ka falimentuar dhe duhet të fillojë përsëri nga Serie D, divizioni amator, por me një emër tjetër. E për këtë, është kujdesur Pellisier që ka luajtur për gati dy dekada me fanellën e Chievos (2000-2019) dhe ka shënuar 134 gola në 496 paraqitje.
“Përkatësia ishte hapi i parë për t’u ndërmarrë. Unë nuk heq dorë nga asgjë dhe do ta kthej Chievon ku e kishte vendin, pavarësisht vështirësive. Dua t’i qëndroj besnik Chievos time, pasi pjesën më të mirë të karrierës e kam kaluar aty”, ka insistuar Pellisier që nuk ka refuzuar as postin e presidentit në ekipin që tashmë e ka themeluar. “Unë president? Pse jo”.
Anëtarësimi i FC Chievos 1929, ishte hapi i parë burokratik, i nevojshëm që klubi t’i kthehet aktivitetit. Megjithatë, klubi do të fillojë me gara nga kategoritë amatore, gjë që nuk e pengon aspak Pellisierin.
“Nuk më intereson se prej cilit rang, por është thelbësore që po rifillojmë. Ku të jetë e mundur, ne do të fillojmë me gara. Duke filluar nga Serie A, do të jetë një hap drejt profesionalizmit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne tashmë, po bëjmë një hap përpara në sezonin e ri”, insistoi Pellisier. “Ne qysh në sezonin e parë, do të mundohemi të avancojmë, sepse nuk jemi larg profesionalizmit. Dhe, për këtë jam optimist shumë i madh”.
Chievo për shumë vite ishte ndër skuadrat më simpatike në Serie A. Në edicionin 2001/02, Chievo debutoi në Serie A dhe ishte hera e parë në historinë e klubit që po luante në nivelin elitar të futbollit italian. Qysh në sezonin e parë, Chievo përfundoi në pozitën e pestë dhe siguroi pjesëmarrjen në garat e Evropës, por u eliminua në raundin e parë. Megjithatë, pas gjashtë sezoneve, Chievo ra në Serie B (2006/07), por u rikthye vitin e ardhshëm dhe ishte pjesë e Serie A prej vitit 2008 deri në vitin 2019. Gjatë kohës sa ka luajtur në elitën e futbollit italian, Chievo ka nxjerrë emra të shquar të lojtarëve. Nga Julio Cesar te Stefano Sorrentino, nga Nicola Legrottaglie te Andrea Barzagli. Nga Stefano Barone te Simone Perrotta dhe nga Amauri te Pellisieri. Portierë, mbrojtës, mesfushorë dhe sulmues, me fanellën e Chievos u bënë lojtarë të njohur dhe më pas zbarkuan nëpër skuadra të mëdha, ku disa prej tyre u bënë edhe kampionë të botës. Chievo, gjithashtu, ishte një trampolinë edhe për disa trajnerë, siç ishte Luigi Del Neri që e drejtoi edhe Porton, Romën e Juventusin.
Edhe
Sampdoria e ka edhe një shans për mbetje në Serie B
“Ne kërkuam pak kohë që të paguanim borxhin me këste. Paguam këstin e parë më 28 qershor në vlerë 800 mijë euro prej 18 milionë eurosh borxh që i kam shtetit. Por, as kjo nuk mjaftoi”, pranoi Luca Campedelli, pronar i Chievos që mbeti vetëm.
Chievo si ekip u themelua në vitin 1929 dhe ishte me bazë në periferinë Chievo, një zonë prej 4500 banorësh në qytetin e Veronas. Klubi ishte në pronësi të kompanisë “Paluani”, që merret me produktet e furrës. Ndeshjet si vendas, Chievo i ka luajtur në stadiumin “Marc’Antonio Bentegodi” me një kapacitet prej 38.402 ulëseve, të cilin e ka ndarë me rivalët e vjetër, klubin tjetër të qytetit Hellas Veronan. Përndryshe, Chievo është njohur ndryshe me nofkën si “Gomarët Fluturues”.