Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pellegrini e ka bërë Betisin sërish pretendent në Spanjë

Të qenët tifoz i klubit spanjoll, Real Betis, nuk ishte shumë argëtuese, jo shumë kohë më parë. Ndërsa rivali i qytetit Sevilla qëndroi në top-katërshe të La Ligas dhe fitoi trofe të shumtë në Ligën Evropës, Betisi luftoi vetëm për të mbetur në elitën e futbollit spanjoll. Më pas erdhi trajneri Manuel Pellegrini, nuk kaloi shumë kohë dhe tifozët e Betisit filluan të kishin arsye për të brohoritur sërish. Trajneri kilian me përvojë e ktheu shpejt fatin e klubit me formacionet e tij sulmuese dhe futbollin argëtues. Dy sezone pasi u kërcënua për të rënë në një kategori më poshtë dhe përfundoi në vendin e 15-të në ligën spanjolle, Betisi tani lufton për kreun e tabelës dhe është i gjallë në Ligën e Evropës dhe Kupën e Spanjës. Betisi viziton Rayo Vallecanon në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës që zhvillohet të mërkurën, duke kërkuar të kthehet në finale për herë të parë që nga trofeu i tij i fundit të fituar në çdo garë në vitin 2005.

“Ka meritë për ne që të luajmë dhe luftojnë në të tri garat”, tha Pellegrini. “Por, kjo gjithashtu sjell vështirësi dhe ne duhet të jemi në gjendje të vazhdojmë të përshtatemi me këtë ritëm”.

Betis kishte fituar katër ndeshje rresht – duke mposhtur kundërshtarët me rezultatin e përgjithshëm 14:2 – përpara se të pësonte nga Villarreali (2:0) në shtëpi në kampionat të dielën, kur disa titullarë u pushuan nga Pellegrini.

“Ne jemi në gjysmëfinale, afër finales, dhe në ligë jemi në vendet e Ligës së Kampionëve”, tha Pellegrini. “Duhet të jemi të pjekur për mënyrën se si i trajtojmë këto situata.”

Pellegrini ka qenë në gjendje të rikthejë një mentalitet fitues në një skuadër të Betisit që ka lojtarë të tillë si Nabil Fekir, Borja Iglesias, Sergio Canales, Joaquin Sanchez, Juanmi, Marc Bartra dhe Hector Bellerin. Trajneri u punësua në vitin 2020. 68-vjeçari Pellegrini, një ish-lojtar i cili është gjithashtu një inxhinier ndërtimi, ishte i njohur me La Ligën pasi më parë kishte drejtuar Villarrealin, Malagan dhe Real Madridin. Villarreali u bë një nga ekipet më të mira në Evropë nën komandën e tij në vitet 2000, duke arritur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2006. Përfundoi i dyti në ligë nën drejtimin e Pellegrinit në vitin 2008. Diku tjetër, Pellegrimi fitoi titullin në Premier League me Manchester Cityn në vitin 2014. Ai pati një fillim disi të vështirë në Betis, por skuadra bëri një ecuri të fortë në fund të sezonit të tij të parë për të përfunduar në pozitën e gjashtë dhe për të siguruar një vend në Ligën e Evropës.

Këtë sezon, Betisi ka kaluar në raundin e nokautit nga një grup që përfshinte Celticun, Bayer Leverkusenin dhe Ferencvaroshin. Në fazën e eliminimit, do të përballet me Zenitin. Në La Liga, Betisi ka fituar 12 nga 23 ndeshje për të qëndruar në vendin e tretë në tabelë pas Sevillas dhe liderit Real Madridit. Ka sulmin e dytë më të mirë në ligë me 41 gola të shënuar, pas 48 të Realit. Eliminoi rivalin e qytetit, Sevillan në rundin e 1/8 së finales të Kupës dhe mposhti Real Sociedadin 4:0 si mysafir në çerekfinale. Në gjysmëfinalen e vitit 2019 të kësaj gare, Betis u pat eliminuar nga Valencia që triumfoi në Kupë.

Edhe Pellegrini vazhdon kontratën me Betisin Sport Pellegrini vazhdon kontratën me Betisin

“Shpresoj që të mos përsëritet ai eliminim për shkak se do të ishte e dhimbshme. Jemi shumë afër finales dhe duam të jemi aty”, shtoi Pellegrini.

Skuadra e Betisit u ndëshkua me mbylljen e një pjese të stadiumit “Benito Villamarin” pasi një copë plastike e hedhur nga një tifoz goditi në kokë një lojtar të Sevillas gjatë ndeshjes së Kupës muajin e kaluar. Ndeshja u ndërpre dhe rifilloi një ditë më vonë prapa dyerve të mbyllura. Betisi do të përballet me një ekip të Rayos që luan në gjysmëfinale të Kupës për herë të parë në katër dekada dhe përpiqet të arrijë në finale për herë të parë në histori. Klubi modest madrilen, i udhëhequr nga sulmuesi veteran i Kolumbisë, Radamel Falcao, mburret me një nga rekordet më të mira në shtëpi në futbollin spanjoll, me nëntë fitore dhe vetëm një humbje nga 12 ndeshje në stadiumin “Vallecas”.