Sport

Challandes për KOHËN: Kam pritur më shumë, tani synojmë rritjen në kualifikimet e Botërorit

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka pranuar se ka pritur më shumë prej ekipit të tij në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Pos pikëve të pakta, Challandes ka thënë se edhe mënyra e lojës nuk ka qenë ajo që e ka pritur në edicionin e këtij viti.

Javën e kaluar Kosova e mbylli edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Përfundoi e treta në grupin e tretë të Ligës C, me pesë pikë të tubuara pas gjashtë ndeshjeve të luajtura.

Challandes thotë se do të pajtohej nëse Kosova do t’i tubonte të paktën edhe tri pikë më shumë, duke aluduar se përfaqësuesja ka merituar fitoren në ndeshjen e parë ndaj Moldavisë, të luajtur në Itali dhe një barazim ndaj Sllovenisë, ndeshje të cilën “Dardanët” e humbën 2:1 me penalltinë e dhënë në kohën shtesë. Ai ka vërejtje në lojën e Kosovës, sidomos në fazën ofensive.

“Është më se e qartë që kam pritur më shumë. Nuk është në pyetje vetëm problemi i pikëve, por edhe mënyra e lojës. Nuk kërkoj rezultate, por progres. Përfundimisht nuk ishte një kohë e mirë për të gjithë shkaku i virusit që ka ndikuar negativisht”, është shprehur Challandes të hënën për KOHËN.

“Ka qenë e mundur ta fitonim ndeshjen e parë në Itali kundër Moldavisë, si dhe të barazonim së fundi me Slloveninë pasi nuk ishte penallti. Nëse do t’i merrnim këto rezultate, do të ishte mirë. Megjithatë, loja nuk më ka kënaqur. Kemi pasur probleme këtë vit, sidomos me repartin ofensiv, ku nuk kemi shënuar shumë gola. Është e qartë që kishim probleme të krijonim raste shënimi dhe këtë e dimë të gjithë”.

Sipas zviceranit, fitorja e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte më se e nevojshme për Kosovën, që vinte pas një serie prej dhjetë ndeshjeve pa fitore. Atij i vjen shumë keq që nuk pati mundësi ta udhëhiqte ekipin nga banka por u detyrua që ndeshjen ndaj Moldavisë (1:0) ta shikonte nëpërmjet televizorit.

Challandes në asnjërën prej tri ndeshjeve të këtij muaji nuk ishte në gjendje ta drejtonte Kosovën për shkak se rezultoi pozitiv me koronavirus. Në tri testet e kryera para ndeshjeve me Shqipërinë, Slloveninë e Moldavinë ai doli pozitiv dhe ishte i detyruar të izolohej në një hotel në Durrës. Ai te premten është kthyer në shtëpi, ku po qëndron i vetizoluar me rekomandimin e mjekut.

“Ishte shumë periudhë e rëndë për mua që të qëndroja në hotel, nuk e kam pritur një gjë të tillë. Por kjo situatë ndodhi pasi virusi është armik i padukshëm dhe më duhej ta pranoja. Jemi munduar të bënim më të mirën nga distanca, me kontakte me stafin nëpërmjet telefonatave dhe videove, por nuk ishte aspak e lehtë. Isha shumë nervoz para ndeshjes me Moldavinë, sepse kam menduar se do të ishte më mirë ta udhëhiqja ekipin, por në fund ekipi dha një përgjigje të mirë”, tha Challandes, që insiston se nuk ka pasur fare simptoma. “Fitorja me Moldavinë ishte shumë e rëndësishme, pasi kishim nevojë ta mbyllnim këtë vit në mënyrë pozitive pas të gjithave”.

Problemet që nisën në shtator

Challandes thotë se problemet te Kosova nisën në muajin shtator kur edhe filluan ndeshjet e edicionit të dytë të Ligës të Kombeve. Kosova u promovua në një nivel më të lartë të kësaj gare pasi në edicionin e parë triumfoi në grupin e saj në Ligën D. Trajneri me përvojë thotë se përfaqësuesja periudhën më të vështirë e pati një muaj më vonë, kur edhe humbi në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020” nga Maqedonia e Veriut (2:1). Maqedonia e Veriut doli fituese e plejofit të Ligës D dhe vitin e ardhshëm do të marrë pjesë për herë të parë në Kampionatin Evropian.

“Ne e dinim se do të kishim probleme por ato nisën nga muaji shtator kur edhe erdhi loja e parë me Moldavinë në Itali. Një pjesë e lojtarëve erdhën me vetura dhe pas asaj ndeshjeje u kthyen nëpër klubet e tyre për t’i shpëtuar karantinimit. Që nga ajo kohë ne nuk arritëm kurrë të stërvitemi me gjithë ekipin”, pranon Challandes. “Pastaj, në tetor përjetova periudhën më të vështirë ndonjëherë. Patëm shumë telashe me infektimin dhe lëndimin e lojtarëve, që për fat të keq erdhën pikërisht para ndeshjes së rëndësishme me Maqedoninë e Veriut. Problemi në këtë kampanjë ishte se nuk u treguam të rrezikshëm për kundërshtarët, ndonëse ekipi ka luftuar. Mirëpo duhet ta harrojmë këtë periudhë sa më shpejt që të mundemi, ta pranojmë këtë situatë dhe të bëhemi gati për ndeshjet tjera që të kemi rezultate më të mira, lojë më ofensive dhe raste të krijuara”.

Krahas telasheve me virusin dhe lëndimet që pamundësuan që ekipi të jetë i kompletuar, Challandes thotë se duhet pasur parasysh se Kosova e kishte një grup shumë të fortë në Ligën C të Ligës së Kombeve. Sipas tij, dallimi ishte i madh në krahasim me Ligën D ku Kosova luajti më herët.

“Kemi pasur një grup të fortë, ndoshta më të vështirin në Ligën C me ekipet si Sllovenia e Greqia dhe duhet të pranojmë se kishte dallim në cilësi me Ligën D. Nuk kemi marrë shumë pikë, por duke pasur parasysh grupin tonë nuk mund të them se ishte keq edhe pse kam pritur më shumë”, shtoi Challandes duke vlerësuar se Kosovës nuk i mungoi përvoja.

“Nuk është problemi i përvojës sepse kemi pasur përvojë të mirë në kualifikimet e rregullta. Për mua ishte një kohë speciale në kualifikimet e Evropianit ku sulmi luante me besim të madh dhe ekipi aplikonte një futboll të freskët. Këtë herë nuk ishte njëjtë, por besoj në gjëra më të mira në të ardhmen dhe hap pas hapi të vazhdojmë tutje”.

Shorti për Botëror

Challandes ka folur edhe për shortin e kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022” që do të tërhiqet më 7 dhjetor. Kosova është në vazon e pestë dhe Challandes pa dyshim se pret kundërshtarë të fortë në grup, të paktën dy top përfaqësuese të Evropës. Vazoja e parë përbëhet prej ekipeve si Belgjika, Franca, Anglia, Portugalia, Spanja, Kroacia, Italia, Gjermania e Holanda derisa në vazon e dytë janë Zvicra, Polonia, Uellsi, Turqia, Suedia e Ukraina ndër të tjera.

“Shorti për Botëror? Me siguri se do të jetë shumë i vështirë për shkak se do të kemi në grup kundërshtarë të fortë, përfshirë këtu ekipe të mëdha të Evropës. Mirëpo, kjo nuk duhet të na frikësojë aspak. Përkundrazi, këto kualifikime duhet t’i shfrytëzojmë për t’u zhvilluar edhe më shumë si ekip dhe për të luajtur ndeshje të mira. Pa dyshim se na nevojiten ndeshje të tilla, tri me ekipe të nivelit tonë dhe dy shumë të forta”, tha Challandes.

Tekniku zviceran shpreson që situata sa më shpejt të përmirësohet me virusin dhe prej vitit të ardhshëm kur të nisin kualifikimet për Botërorin “Katari 2022” në muajin mars, të lejohet kthimi i tifozëve në tribuna. Ai insiston se “Dardanët” i kanë munguar shumë ekipit këtë vit.

“Për mua dhe Kosovën është problem i madh të luajmë pa tifozët. Nëse luajmë me tifozë në Prishtinë, atëherë jemi krejtësisht ekip tjetër. Ishte e mërzitshme t’i shohësh tribunat e zbrazëta dhe tifozët më mungojnë shumë. Të shpresojmë që situata të përmirësohet por njëkohësisht duhet të adaptohemi për të ardhmen. Tash kemi pak kohë dhe të shohim se çfarë na pret”.

Në fund Challandes ka folur edhe për futbollistët e rinj që, sipas tij, gjithmonë e kanë derën hapur te Kosova. Ai ka mbetur i kënaqur me debutimin e mbrojtësit Betim Fazliji dhe thotë që duhet t’i rregullohet dokumentacioni sa më shpejt për ta pasur në dispozicion. Fazliji u ftua për ndeshjet e këtij muaj por në mungesë të dokumentacionit luajti vetëm miqësoren kundër Shqipërisë, që Kosova e humbi 2:1.

Challandes tha se Kosova duhet të marrë edhe lojtarë tjerë të rinj sikurse Fazliji duke lënë të hapur mundësinë që vitin tjetër “Dardanëve” t’iu bashkohen edhe Andi Zeqiri (Brighton), Bastien Toma (Genk) e Mërgim Berisha (RB Salzburg). Zeqiri e Toma aktivizohen te U21 të Zvicrës derisa Berisha te U21 e Gjermanisë. Zeqiri e Berisha janë sulmues derisa Toma mesfushor.

“Lojtarë të rinj në të ardhmen do të ketë sikurse Fazliji dhe duhet të shohim se kë mund ta marrim. E dimë që kemi lojtarë që luajnë te Zvicra U21 dhe Gjermania U21, por duhet të presim derisa të përfundojë raundi final i kësaj gjenerate në muajin qershor dhe pastaj gjithçka është e mundur. Kemi folur me të gjithë kandidatët potencialë dhe do të shohim. Duhet pasur parasysh se po kërkojmë cilësi dhe jo vetëm numër. Kështu që duhet të presim”, tha Challandes.