Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se “dardanët” patën një paraqitje të mirë ndaj Spanjës, por që e kishin të pamundur fitoren kundër një superfuqie të futbollit botëror.
Challandes pas ndeshjes insistoi se nuk mund të fajësohet ekipi, pasi lojtarët u përpoqën maksimalisht të bënin diçka më shumë ndaj Spanjës.
“Nuk mund t’i them diçka ekipit sepse kemi luajtur kundër një kundërshtari shumë të fortë. Topin e mbajtëm mirë, por ndoshta përfundimi nuk ishte i mirë. Është pothuajse e pamundur të luash kundër një ekipi si Spanja. Ishte me tre sulmues si Olmo, Morata e Torres që ndoshta janë më të mirët në botë. Doja që t’i shkaktonim probleme Spanjës, por nuk arritëm. Lojtarët tentuan por aspak nuk ishte e lehtë”, është shprehur Challandes. “Nuk mund të thuhet se ne nuk kemi progres, sepse kemi luajtur kundër dy ekipeve shumë të forta, si Suedia dhe Spanja që fitorja është e pamundur pothuajse. Ne jemi Kosova dhe kemi luftuar kundër një ekipi shumë të fortë. Dhe, kjo është mënyra se si ne bëjmë progres. Kemi bërë progres ndaj Spanjës, pasi kurrë nuk kemi luajtur ndaj një kundërshtari të tillë. Progresi është një rrugë e gjatë dhe nuk mund të kritikojmë ekipin, por trajnerin. Ne duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, sepse nuk është lehtë për një ekip si Kosova të luajë në kualifikimet e Botërorit. Unë kam besim në ekipin tim por duhet të jemi të durueshëm, të punojmë dhe të shfaqim kualitetet tona”.
Për Kosovën, humbja ndaj Spanjës ishte e dyta rresht në kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm, pasi vikendin e shkuar pësoi edhe nga Suedia (3:1).