Sport

“Ceremonitë” lënë shumë të pakënaqur dhe nxjerrin në pah ndasitë

Federata e Karatesë e Kosovës të shtunën ka shpallur më të mirët e vitit 2021. Epiteti i më së mirës i takoi karateistes së klubit Prishtina, Antoneta Budakova. Në ceremoni nuk ishte fare Herolind Nishevci, i vetmi karateist i Kosovës që vjet fitoi medalje në ngjarjet e mëdha për të rriturit.

Nishevci kishte fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për seniorë, por nuk kishte pikët e mjaftueshme që në Kosovë të shpallej më i miri i vitit, sipas kritereve të përcaktuara nga FKK-ja. Nishevci të shtunën e të dielën nuk është deklaruar lidhur me përzgjedhjen e bërë nga FKK-ja. Ka thënë se gjendet jashtë shtetit.

Ka reaguar kryetari i klubit ku ushtron NIshevci. Ai ka akuzuar Federatën e Karatesë për vlerësim jo të drejtë.

Në të vërtetë ceremonitë që synim primar e kanë të vlerësojnë ata që janë dalluar gjatë një viti, thuajse vazhdimisht shoqërohen me pakënaqësi. Madje shpesh nxjerrin në pah ndasitë që janë në federata të ndryshme. Kështu ndodhi më herët në atletikë e tani edhe në karate. Mund të ndodhë edhe në sporte të tjera, pasi një pjesë e mirë nuk i kanë shpallur ende më të mirët e vitit të kaluar.

“I vetmi senior medalist evropian në historinë e karatesë së Kosovës, Herolind Nishevci, nuk shpallet as Sportist i Vitit 2021 nga FKK-ja. Hakmarrja ndaj garuesve verbon përgjegjësit të cilët në momentin e fundit i ndërrojnë edhe kriteret vetëm e vetëm të mos shihen në podium vlerat e mirëfillta. Si ka mundësi që krejt bota i vlerësojnë titujt botërorë e evropianë e te ne nënçmohen”, ka shkruar Avni Gashi, kryetar i klubit të karatesë “Olimp”, ku ushtron Nishevci.

Postimit të tij publik i është përgjigjur Federata e Karatesë e Kosovës.

“Përzgjedhja është bërë sipas Rregullores së aprovuar para katër vjetësh, me të cilën edhe vitet e kaluara është bërë përzgjedhja, Herolind Nishevci është pa dyshim më i miri që ka Kosova, pra ai është më së paku i KK Olimp, sepse është i Kosovës fillimisht”, shkruan, ndër të tjera, në përgjigjen e Federatës së Karatesë së Kosovës.

Dhjetëra kupa e çmime janë ndarë në ceremoninë e Federatës së Karatesë të shtunën. Shpërblimi i shumë sportistëve e drejtuesve zgjidhet nga federatat sportive edhe për të zvogëluar numrin e të pakënaqurve. Secili që largohet nga ceremonia me çmim apo mirënjohje ka më pak arsye për reagim. Por me gjithë faktin se federatat ndajnë me dhjetëra shpërblime, pakënaqësitë ekzistojnë. Ka edhe vlerësime të padrejta, por edhe të tillë që vlerësojnë padrejtë se e kanë merituar të shpërblehen. Shpesh nuk respektohen kriteret, apo ndryshojnë në momentet e fundit.

Pakënaqësi të mëdha ka edhe në shpalljen e më të mirëve nga komunat e caktuara. Secila komunë shpall më të mirët, ndërsa i përmbahen parimit që sa më shumë të shpërblyer, më pak të pakënaqur.

Derisa për shpalljen e më të mirëve nga Federata e Boksit e Kosovës nuk ka pasur ndonjë reagim publik, ka pasur pakënaqësi të shprehura për shpalljen e më të mirëve nga atletika. FBOXK-ja më të mirin e shpalli Shpejtim Bajokun, për të cilin nuk kishte dilema. Ndërkohë Federata e Atletikës e Kosovës e vlerësoi më të mirin Muhamet Ramadanin, kampionin evropian për të rinj në hedhje të gjyles. Por në klubin “Rogana”, njërin prej më mirëve në vend, kanë vlerësuar se vlerësimi i Federatës së Atletikës nuk ishte i drejtë. “Rogana” e kishte bojkotuar ceremoninë.

Në futboll, pakënaqësi të mëdha ka pasur lidhur me shpalljen e ekipit më të mirë të Superligës. Ekipi i Superligës është shpallur me votat e trajnerëve të klubeve të Superligës. Ishte vlerësim i shumë njohësve se jashtë ekipit kanë mbetur disa prej lojtarëve më të mirë, për shkak të votimit jo shumë korrekt të trajnerëve. Ata kanë favorizuar lojtarë të caktuar.

Reagime të tjera priten pas shpalljeve të reja të më të mirëve. Gjatë javës së ardhshme më të mirët i shpall edhe Federata e Hendbollit e Kosovës e po ashtu ndonjë federatë tjetër.