Sport

Vizat “përcaktojnë” ekipin e Kosovës në karate për Evropianin në Spanjë

Federata e Karatesë së Kosovës të mërkurën ka përcaktuar ekipin që do të paraqitet në Kampionatin Evropian për seniorë që më vonë këtë muaj mbahet në Spanjë. Por jo të gjithë ata që janë kualifikuar do të jenë në Evropian.

Kjo është bërë e ditur përmes një letre që Federata e Karatesë së Kosovës ua ka dërguar klubeve kosovare. Në letër bëhet e ditur se ata që janë kualifikuar e nuk kanë viza, nuk do të garojnë në Evropian.

FKK-ja ka pasur kohë prej 4 dhjetorit t’i pajisë me viza karateistët, por nuk ia doli ta bëjë këtë. Dhe jo të gjithë janë të kënaqur me mënyrën si është përzgjedhur ekipi.

Evropiani për të rritur mbahet në Guadalajara të Spanjës prej 22 deri më 26 mars. Të mërkurën ishte afati i fundit për të përcaktuar ekipet.

Dhe këtë herë nuk ka mjaftuar që të fitohet gara kualifikuese për Evropian.

“Udhëtojnë të gjithë ata që kanë fituar në ‘play-off’ më 4 dhjetor 2022 e që kanë pasaporta me të cilat mund të udhëtojnë për Spanjë, si dhe ata që kanë viza valide për shtetet Shengen. Pas shumë tentativave për pajisje me viza spanjolle, Ambasada e Spanjës në Shkup nuk ka pajisur me viza përfaqësuesen e Kosovës në karate, duke mos lejuar garuesit tanë as të aplikojnë për viza të shtetit spanjoll. Ne detyrohemi të procedojmë me listën definitive me garuesit potencialë, që kanë viza për udhëtim në shtetin e Spanjës”, thuhet në letrën e Federatës së Karatesë.

Në situatën e paraqitur nga FKK-ja më e rëndësishme ishte posedimi i vizës se fitimi i garës kualifikuese. Herolind Nishevci, që më herët kishte njoftuar publikisht për përfundimin e karrierës, në Evropian do të paraqitet në vend të Mirlind Rexhepit, që nuk posedon vizë Shengen. Nishevci pra kthehet në gara dhe atë në Evropian.

Një emër tjetër që është gjatë në skenë, Fortesa Orana, do të paraqitet në vend të Elmedina Istogut, që po ashtu nuk ka vizë Shengen.

Vlerë Qerimi, Adelina Rama, Alma Loki dhe Ventor Gjuka kanë fituar garën kualifikuese dhe kanë viza. Kështu që shkojnë në Evropian.

Ndërkohë në mungesë të vizave, jashtë Evropianit mbesin Elmedina Istogu, Albulena Gërvalla, Redona Gashi, Mirlind Rexhepi, Betim Maliqi, Shpresim Shabani, Albinot Selmani dhe Xhevdet Smajli. Të gjithë këta kanë fituar garën që shërbeu si kualifikuese për Evropian.

Në fakt i paraqitur për të garuar në Evropian, sipas sajtit zyrtar, është edhe Melos Gashi. Ai nuk është në listën e dërguar nga Federata te klubet.

Më herët këtë vit, karateistët u diskriminuan në Qipro, në Evropianin për të rinj. Nuk morën pjesë pasi organizatori nuk lejoi simbolet e Kosovës në palestër. Ndërkohë edhe në të kaluarën karateistët ishin “viktimë” e diskriminimit. Në Spanjë kanë pasur telashe edhe sportistë të tjerë, por shumë sportistë të Kosovës kanë hyrë dhe kanë garuar në këtë vend.

Fakti se Ambasada spanjolle në Shkup nuk ka lëshuar viza për karateistët, nënkupton se pjesëmarrësit e Evropianit do të hyjnë në Spanjë me viza të lëshuara nga vendet e tjera.

Ish-selektori Isak Curri, përgjegjësinë për mospajisje me viza ia lë Federatës së Karatesë.

“Kam garuesit më të ranguar për Lojërat Evropiane dhe kam menduar që në këtë Evropian do të kenë mundësinë për pjesëmarrje. Ndihem keq para dy sportistëve të mi. Pas gjithë kësaj pune do të qëndrojmë në shtëpi për shkak të paaftësisë së Federatës për të bërë punën e vet. Albinot Selmani është i ranguar më së miri nga karateistët e Kosovës për Lojërat Evropiane. Sportistët e mi që është dashur të jenë në Evropian janë Albulena Gërvalla dhe Albinot Selmani, që ditë më parë nga Federata u shpall sportist i vitit”, ka theksuar Curri për KOHËN.

Ndërkohë selektori aktual, Ylber Syla, vajton mungesat e shumta.

“Më 21 mars udhëtojmë për në Spanjë. Do të udhëtojmë me shtatë karateistë, me ata që kanë viza. Nuk po udhëtojmë të kompletuar. Jemi të hendikepuar në konkurrencë të meshkujve. Kemi punuar që të jemi të kompletuar në Spanjë, por jemi të përgjysmuar”, ka theksuar Syla.

Ai ka folur edhe për gjendjen e karateistëve pjesëmarrës.

“Pres nga Fortesa, ka qenë në garë për të bronztë tri herë në Evropian. Melosi është perspektiv dhe merr pjesë për herë të parë. Herolindin ka një kohë që nuk e kam parë në gara. Në listë ka qenë edhe Elhami Shabani, por ai mungon shkaku që nuk ka vizë. Është dëmtimi më i madh që i bëhet një sportisti kur penalizohet për shkak të vizës”, ka shtuar selektori Ylber Syla.