Përfaqësueses së Kosovës në karate nuk i ishte lejuar paraqitja me të drejta të barabarta në Kampionatin Evropian, që u zhvillua javën e kaluar në qytetin Laranca të Qipros. Ishte Qeveria e Qipros, ajo që vendosi se garuesit e Kosovës nuk mund të garojnë me simbole të shtetit në Kampionat Evropian për kadetë, juniorë dhe për grupmoshën U21. Vendimi i Qeverisë së Qipros është pranuar nga Federata Evropiane e Karatesë dhe kështu, karateistët kosovarë kanë mbetur jashtë garës.
Në Federatën e Karatesë së Kosovës (FKK) kanë frikë se një skenar i ngjashëm mund t’iu ndodhë edhe në Spanjë, ku muajin tjetër (22-26 mars) në Guadalajara do të mbahet Kampionati Evropian për senior. Madje, frika e zyrtarëve të Federatës kosovare është se diskriminimi mund të ndodhë ende pa marrë rrugën për Spanjë. Frika e tyre është që shteti spanjoll mund të mos i pajisë me viza hyrëse. Kryetari i Federatës së Karatesë të Kosovës, Avni Gashi, ka bërë të ditur se të premten do të ketë një takim me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku.
“Do të kemi një takim me ministrin nesër për t’u koordinuar rreth shkuarjes tonë në Spanjë”, ka thënë Gashi për KOHËN të enjten.
Në fakt, katër vjet më parë karateistët e Kosovës nuk e patën këtë problem. Në të njëjtin vend, në vitin 2019, Kosova u paraqit në evropian me simbole shtetërore, të cilat u lejuan nga shteti i Spanjës, i cili vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Sekretari i Federatës së Karatesë të Kosovës, Nazmi Gashi, ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga Federata e Karatesë së Spanjës që bashkë me ftesën për pjesëmarrje të dërgojnë edhe një rekomandim në Ambasadën e Spanjës në Shkup të Maqedonisë së Veriut për t’u pajisur me viza hyrëse.
“Nuk kemi marrë ende asnjë veprim, pasi jemi në pritje të ftesës nga Federata spanjolle. Presim që brenda këtyre 2-3 ditëve të marrim ftesë prej Spanjës. Gjatë qëndrimit në Qipro ne kemi biseduar me krerët e Federatës së Spanjës dhe u kemi kërkuar që bashkë me ftesat të dërgojnë në Ambasadë edhe rekomandimin për të na pajisur me viza”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se nuk kanë indikacione se Spanja nuk do t’ua lejojë hyrjen dhe pjesëmarrjen me simbole shtetërore në Evropianin e muajit të ardhshëm.
“Në vitin 2019 kemi marrë pjesë me simbole shtetërore dhe presim që edhe këtë vit ta kemi të drejtën e njëjtë, e drejtë që na takon. Kemi parë rastin e atij atletit që nuk ia lejuan hyrjen në Spanjë. Po shpresojmë që t’i përmbahen vendimit të vitit 2015 të Qeverisë spanjolle që sportistëve kosovarë të mos u ndalohet hyrja dhe përfaqësimi me simbole. Dhe, ne nuk duam të biem në pikën zero. Nuk kemi indikacione se mund të pengohemi dhe, sipas zyrtarëve të Federatës, ne do të marrim pjesë si në vitin 2019. Ne problemin mund ta kemi me pajisje të vizave, por do të shohim”, ka thënë Gashi.
Ndonëse Kosova tashmë është e pranuar me të drejta të plota në federatat ndërkombëtare sportive, sportistët vazhdojnë të diskriminohen në disa vende.