Sport

Përplasje të reja në komunitetin e karatesë

Herolind Nishevci e kishte fituar medaljen më të madhe për karatenë kosovare në vitin e kaluar. Ai fitoi të bronztën në Evropianin për seniorë që u mbajt në Poreç të Kroacisë prej 19 deri më 23 maj 2021. Nishevci ishte i treti në kategorinë mbi 84 kilogramë.

Por Nishevci nuk u shpall karateisti më i mirë i Kosovës për vitin 2021. Dhe kjo ka sjellë përplasje në komunitetin e karatesë në vend. Përplasje të reja në fakt, pasi ato po ndodhin kohë pas kohe te karateistët. Udhëheqësit aktualë të Federatës së Karatesë së Kosovës kanë pasur përplasje të mëdha me ish-drejtuesit e FKK-së, përkatësisht me klubin prishtinas Ippon. Ndaj drejtuesve aktualë të federatës ka pasur akuza të mëdha edhe nga karateistët, duke përfshirë edhe ato nga Alvin Karaqi e Orges Arifi, që vlerësohen prej më të mirëve në vend. Ata tashmë përfaqësojnë Shqipërinë, pasi janë larguar nga Përfaqësuesja e Kosovës.

Federata e Karatesë së Kosovës të shtunën ka reaguar ndaj një postimi publik të Avni Gashit, kryetar i klubit të karatesë Olimp.

“I vetmi senior medalist evropian në historinë e karatesë së Kosovës, respektivisht të FKK-së, Herolind Nishevci, nuk shpallet as Sportist i Vitit 2021 nga FKK-ja. Hakmarrja ndaj garuesve verbon përgjegjësit, të cilët në momentet e fundit i ndërrojnë edhe kriteret, vetëm e vetëm të mos shihen në podium vlerat e mirëfillta, ata që realisht u munduan për karate e asnjëherë nuk përfituan nga karateja, vetëm pse janë nga Karate Club Olimp. Si ka mundësi që krejt bota i vlerëson titujt botëror e evropian e te ne nënçmohen? Çfarë demotivimi është ky për garuesit e tjerë. A ka tjetër medalje botërore apo evropiane FKK-ja pos atyre të Herolind Nishevcit. Turp, turp, turp”, ka shkruar Avni Gashi në një postim në rrjetet sociale, të shtunën.

Po të shtunën FKK-ja është përgjigjur po me postim publik.

“Zotëri Gashi, ju e keni pasur draftin me rezultate dhe nuk keni bërë asnjë vërejtje, derisa të tjerët i kanë dërguar ato dhe janë marrë në konsideratë. Përzgjedhja është bërë sipas rregullores së aprovuar para katër vjetësh me të cilën në vitet e kaluara është bërë përzgjedhja. Herolind Nishevci është padyshim më i miri që ka Kosova, pra ai është më së paku i KK Olimp, sepse është i Kosovës fillimisht. Nëse ju jeni në armiqësi me dikë, ne këtë nuk e dimë, që deklaroni se ka hakmarrje. FKK-ja nuk është në armiqësi me askënd. Është turp për ty të shkruash turp, ditën kur bëhet shpallja me kritere të cilat ju me heshtje i keni pranuar tani e katër vjet më parë, ku ishte pjesë e njërit nga komisionet e FKK-së”, ka shkruar Federata e Karatesë së Kosovës.

Përplasja e drejtuesve aktualë me Federatën duket të mos jetë e re. Në një mbledhje të Bordit të FKK-së të mbajtur më herët këtë muaj, Avni Gashi kishte dhënë një sqarim. Kjo bëhet e ditur në një prej postimeve të kaluara të FKK-së.

Federatën e Karatesë së Kosovës e drejton Ismet Krasniqi, që është kryetar edhe i Komitetit Olimpik të Kosovës.

“Sqarim i kryetarit të klubit të karatesë Olimp, Avni Gashi, para anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të FKK-së lidhur me emailet e 30 nëntorit dhe 9 dhjetorit”, shkruan në rendin e ditës për mbledhjen e kaluar të Bordit Ekzekutiv të FKK-së.

Akuza në drejtim të FKK-së ka pasur edhe nga Isak Curri, ish-përzgjedhës. Dhe vlerësohet se gjithë këto përplasje po e dëmtojnë shumë karatenë në vend, që ishte me potencial për suksese të vazhdueshme në skenën ndërkombëtare.

KOHA ka provuar të marrë një mendim nga Nishevci, por ai ka thënë se gjendet jashtë vendit. Nishevci kishte edhe medalje të bronztë botërore, të fituar më vitin 2016.