Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çeferini merr garanci nga Rama se politika nuk do të përzihet në FSHF

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, ka qëndruar të enjten për vizitë zyrtare në Tiranë. Në vizitën që ka zgjatur gjashtë orë, i pari i shtëpisë së futbollit evropian është takuar me kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kjo vizitë është bërë pas përzierjes së politikës në procesin zgjedhor në FSHF dhe sulmit që iu bë Dukës në shtëpinë e tij.

Siç raportojnë mediat tiranase, vizita e Çeferinit ishte një mesazh për politikën shqiptare që të mbajë duart larg nga futbolli. Raportohet se Çeferini ka marrë garanci që politika nuk do të përzihet në sport.

“Pasi kemi lexuar artikujt në media ne ishim pak të shqetësuar për finalen e Ligës së Konferencës. Por fola me presidentin e FSHF-së dhe me kryeministrin, me të cilin ramë dakord se nuk do të ketë ndërhyrje politike në zgjedhje, që futbolli do të vendosë për futbollin dhe kjo është ajo që duam. Nëse UEFA nuk ndërhyn, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces. Nëse gjërat do të jenë kështu, dhe unë kam shumë besim në fjalët e kryeministrit, atëherë zhvillimi i finales së Ligës së Konferencës këtu është i sigurt. Tani do të shohim përpara, sepse është finalja e parë e UEFA Europa Conference League në histori”, tha Aleksandër Çeferin.

Çeferini ka theksuar se ka ardhur në Shqipëri për të konfirmuar se UEFA nuk lejon që palët e treta të përfshihen në procesin zgjedhor në Federatën Shqiptare.

“Erdha sot për të vizituar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për të takuar Dukën, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në parim UEFA nuk ndërhyn në proceset zgjedhore, por ne duam zgjedhje të ndershme dhe nuk duam asnjë ndërhyrje nga palë të tjera. Pata gjithashtu një takim me kryeministrin Rama sot. Ne ishim pak të shqetësuar për situatën, sipas raportimeve që kemi lexuar në media. Jam i kënaqur që ramë dakord me kryeministrin që futbolli duhet të vendosë për futbollin. UEFA do të japë të gjithë mbështetjen e saj, do të sjellë përfaqësues këtu për të verifikuar korrektësinë e zgjedhjeve dhe sigurisht që të mos ketë ndërhyrje nga asnjë palë jashtë futbollit”, u shpreh Çeferin.

Edhe Çeferini flet për Evropianin Shqipëri – Serbi, tregon qëndrimin e UEFA-s Futboll Çeferini flet për Evropianin Shqipëri – Serbi, tregon qëndrimin e UEFA-s

“Gjëja më e rëndësishme është që kjo situatë nuk e ndihmon futbollin shqiptar. Duhet të ketë qetësi, ne jemi gati të ndihmojmë që çdo gjë të jetë e qetë, çdo gjë duhet të jetë transparente dhe me qeverisje të mirë. Nuk dua të hyj në deklaratat e askujt që vijnë nga aktorë lokalë”.

Në fund të janarit në shtëpinë e Armand Dukës u vendos një mjet shpërthyes. Nuk kishte të lënduar. Ky sulm erdhi në ditën kur kryetari i Tiranës, Erjon Velijaj bënte presion te delegatët që do të merrnin pjesë në Kuvendin Zgjedhor për Rajonin e Tiranës. Deklarimet e Velijajt u cilësuan si ndërhyrje e politikës në FSHF.