Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çeferini me mandat të ri, Duka sërish në KE të UEFA-s

Ashtu siç pritej, Aleksander Çeferin është rizgjedhur president i UEFA-s, ndërsa kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është zgjedhur për herë të dytë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Kreu i futbollit të Shqipërisë kandidoi për këtë pozitë mes 11-të kandidatëve për 7 vende në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, kurse u rendit në vendin e parë si më i votuari, me 45 vota nga 55 gjithsej.

Edhe mandati i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është katërvjeçar. Mandati tjetër katërvjeçar i Çeferinit është konfirmuar të mërkurën në kongresin e 47-të në Lisbonë, ndërsa nuk kishte kundërkandidat.

Çeferini erdhi në krye të shtëpisë evropiane të futbollit në vitin 2016, dhe e zëvendësoi në këtë post Michel Platinin duke e mposhtur holandezin Michael van Praag në konkurrencë. Në vitin 2019 nuk kishte kundërkandidat po ashtu.

“Mbrojtja e lojës tonë është misioni jonë. Synimi jonë. Qëllimi jonë. Jemi zgjedhur dhe kemi detyrë të vendosim shembull. Nuk duhet ta harrojmë këtë. Asnjëri nga ne”, ka thënë presidenti Çeferin.