Portieri i famshëm Petr Cech u kthye në fushë 18 muaj pasi u tërhoq nga futbolli aktiv, për të ndihmuar ekipin rezervë të Chelseat të triumfonte ndaj skuadrës U23 të Tottenhamit, të hënën mbrëma.
Pavarësisht së pësoi dy gola dhe u përball me nervozizëm, ish-portieri i Përfaqësueses së Çekisë beson se ka bërë një kthim të fuqishëm në futbollin aktiv. Ekipi U-23 i Chelseat u kthye në krye të tabelës në Premier League 2, pavarësisht disavantazhit që kishte. Cech pësoi dy gola brenda 17 minutave të parë të ndeshjes, por Chelsea reagoi me tre gola në pjesën e dytë për ta siguruar fitoren me shifrat 3:2.
“Pata pak telashe në 20 minutat e parë të ndeshjes pasi përpiqesha të gjeja lëvizjet automatike që i kam pasur kur isha portier aktiv”, pranoi Cech 38-vjeçar. “Mirëpo, unë pas 20 minutave u përshtata me ritmin e lojës dhe pastaj u ndjeva shumë mirë”.
Cech pas tërheqjes nga futbolli aktiv, në muajin maj të vitit të shkuar, ka punuar si drejtor teknik te Chelsea. Mirëpo, portieri tashmë ka paralajmëruar se është i gatshëm t’i përgjigjet edhe ftesës së trajnerit të ekipit Frank Lampard, nëse ai do të ketë nevojë për të gjatë këtij edicioni në elitën e futbollit anglez. Cech u regjistrua në skuadrën e Premier Leagues të Chelseat në muajin tetor, si një masë paraprake në rast se kufizimet e koronavirusit do të prekin opsionet që trajneri Lampard i ka për portën. Me regjistrimin e Cechut, do të thotë se ai është zgjidhje emergjente dhe çdoherë në dispozicion të Chelseat për këtë edicion nëse ndonjëri prej portierëve infektohet me COVID-19.
“Ndeshja me ekipin e dytë përmbushi qëllimin që kishte për shkak se pikërisht kjo ishte ajo që më duhej në rast se ekziston një emergjencë dhe unë duhet të luaj për Chelsean në kampionat. Kjo më ktheu në rrugën e duhur pasi mund të kthehesha në ritmin e garës. Më pëlqeu pjesa e dytë, sepse fillova ta lexoja ndeshjen si dikur dhe u ndjeva shumë mirë”, paralajmëroi Cech.
Cech, i cili mbajti rekordin prej 202 ndeshjeve pa pranuar gol në 15 sezonet e tij në Premier League me fanellën e Chelseat dhe Arsenalit, shtoi se ishte paksa nervoz para ndeshjes me ekipin U23 të Tottenhamit.
Edhe“Unë kam punuar shumë për disa muaj, por nuk kam luajtur në një lojë për 18 muaj, kështu që natyrisht se isha nervoz para ndeshjes”, tha Cech, i cili kishte pasur një seancë të vetme stërvitore me ekipin të dielën. “Ju e humbni ritmin dhe nuk dini çfarë të prisni nga vetja juaj. Edhe pse e dija që isha gati, krijova një pasiguri në vete. Mirëpo, tash jam i gatshëm për të bërë kthim triumfal edhe me ekipin e parë nëse më kërkohet”.
Në fakt, te Chelsea nuk kanë përjashtuar mundësinë që të inkuadrojnë Cechun në ndonjërën prej ndeshjeve të këtij edicioni dhe për këtë arsye trajneri Lampard ka kërkuar prej tij që të luajë me ekipin e dytë të londinezëve. Cech gjatë karrierës së tij te Chelsea (2004-2015) ka fituar hiq më pak se 13 trofe, përfshirë këtu katër tituj kampioni të Anglisë dhe një trofe të Ligës së Kampionëve. Ai u tërhoq nga futbolli aktiv pas ndeshjes finale të Ligës së Evropës ndërmjet Arsenalit dhe Chelseat, të cilën e fitoi ekipi nga “Stamford Bridge” vitin e shkuar. Pas largimit nga Chelsea, Cech për katër sezone e ruajti portën e skuadrës së Arsenalit, ekip me të cilin fitoi një FA Cup dhe dy Superkupa të Anglisë. Ai gjithashtu ka 124 paraqitje për Përfaqësuesen e Çekisë, për të cilën luajti gjatë 14 vjetëve (2002-2016).