Sulmuesi i Përfaqësueses së Uruguait, Edinson Cavani, do të vazhdojë të jetë pjesë e Paris Saint-Germainit edhe në edicionin 2018/19 ka njoftuar “Goal.com”, transmeton “Koha Ditore”.
Ditë më parë u raportua se Cavani është në bisedime me Real Madridin, por të gjitha janë demantuar nga drejtuesit e PSG-së. Në të vërtetë trajneri Thomas Tuchel ka bërë të ditur se pret që Cavani t'i bashkohet ekipit në përgatitje pas pushimeve.
Cavani ishte pjesë e Uruguait në botërorin “Rusia 2018” që u eliminua në çerekfinale. “Kam biseduar me Cavanin në telefon dhe ai nuk dha ndonjë shenjë se do të largohet. Ai është lojtari më i rëndësishëm i ekipit dhe po pres të na bashkohet”, ka thënë Tuchel.
Cavani 31-vjeçar prej vitit 2013 është pjesë e ekipit francez me të cilin ka kontratë deri në vitin 2020.