Mesfushori Fabio Carvalho është larguar nga Liverpooli për ta vazhduar karrierën në Gjermani. Portugezi është prezantuar të premten te skuadra e Leipzigut, ndërsa largimin e tij e ka konfirmuar edhe Liverpooli.
Ai është huazuar për një vit te skuadra gjermane, e cila ka të drejtën e blerjes së tij verën tjetër për 16 milionë euro.
20-vjeçari në verën e vitit të shkuar iu bashkua Liverpoolit nga Fulhami, por nuk pati hapësirë të madhe te trajneri Juergen Klopp.
Ai regjistroi 21 paraqitje në të gjitha garat për Liverpoolin edicionin e fundit, ku shënoi tre gola. Carvalho ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2027.