Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Cancelo, transferimi që e bën Bundesligën edhe më interesante

Kalimi i mbrojtësit të majtë të Portugalisë, Joao Cancelo, në Bayern Munich solli emocione në ditën e fundit të afatit kalimtar të dimrit në Gjermani, ndërsa një marrëveshje e papritur për pesë herë fituesin e Ligës së Kampionëve, Isco Alarcon, për t'iu bashkuar Union Berlinit u anulua.

Pasi pa epërsinë e tij në Bundesligë të tkurret në vetëm një pikë, Bayerni reagoi të martën duke nënshkruar me Cancelon, i cili kishte humbur vendin e titullarit te Manchester City, në një marrëveshje huazimi deri në fund të edicionit dhe me një opsion të blerjes prej 70 milionë eurosh në verë. Marrëveshja u realizua vetëm në ditën e fundit, tha trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann.

“Marrëveshja për Cancelon ishte spontante dhe u arrit në momentet e fundit. Ai është një lojtar me cilësi dhe do të na ndihmojë shumë në sistemin tonë të lojës. Do të përshtatet shumë mirë këtu”, insistoi Nagelsmann.

Union Berlini ishte në prag të lidhjes së një marrëveshjeje të papritur me ish-yllin e Real Madridit, Isco, tani lojtar i lirë pas largimit nga Sevilla. Por transferimi u anulua pasditen e së martës. Menaxheri i përgjithshëm i Unionit, Oliver Ruhnert, la të kuptohet se kishte pasur një përpjekje të vonshme për të ndryshuar kushtet e marrëveshjes.

“Do të ishim të lumtur ta shihnim Iscon me ne, por ne kemi kufijtë tanë”, tha ai. “Këto janë tejkaluar sot, në kundërshtim me marrëveshjen e mëparshme dhe kështu transferimi nuk është bërë”.

Marrëveshja do të ishte një surprizë duke pasur parasysh se Unioni nuk është kualifikuar kurrë në Ligën e Kampionëve dhe u bë ekip i kategorisë superiore vetëm në vitin 2019, megjithëse është i dyti në renditjen e Bundesligës.

Gjithashtu të martën, Eintracht Frankfurti nënshkroi me mbrojtësin e majtë, Philipp Max, ish-lojtar i Gjermanisë. Ai erdhi nga PSV Eindhoveni në huazim me opsionin për ta blerë.

Në përgjithësi, ishte një afat kalimtar relativisht e qetë në Gjermani. Afati dimëror kaloi pa asnjë lojtar të ri me emër që iu bashkua Borussia Dortmundit apo Leipzigut.

Lëndimet luajtën rol këtë herë. Portieri zviceran, Yann Sommer, iu bashkua Bayernit pasi kapiteni Manuel Neuer theu këmbën duke skijuar gjatë pushimeve pas Kupës së Botës. Lëndimi i rëndë në gju i Lucas Hernandezit bëri që Bayern të kishte nevojë gjithashtu për një mbrojtës të ri.

Në Dortmund, kërkimi ishte për një mbrojtës të djathtë pasi Thomas Meunier u lëndua në stërvitje. Bayerni kaloi pjesën më të madhe të janarit duke arritur një marrëveshje për të nënshkruar me Sommerin, kontrata e të cilit me Borussia Moenchengladbachun skadonte në verë. Gjiganti bavarez transferoi edhe lojtarin e lirë, mbrojtësin holandez Daley Blind.

Zgjidhja e problemit të Dortmundit doli të ishte mbrojtësi i djathtë norvegjez i Union Berlinit, Julian Ryerson, i cili në ndeshjen e dytë më ekipin e ri shënoi gol kundër Mainzit.

Bazuar në këtë del se Cancelo është emri më i madh në afatin kalimtar të janarit në Gjermani. I vlerësuar si njëri prej mbrojtësve më të mirë të krahut të Premier League, Cancelo me padurim pret ta fillojë aventurën e tij te skuadra bavareze. Si lojtar, Cancelo është zhvilluar te Benfica, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Valencia, Juventusi e Interi. Ai në vitin 2019 iu bashkua Cityt dhe vitin e shkuar firmosi kontratë të re deri në verën e vitit 2027.

Cancelo është pjesë e Portugalisë dhe deri më tani ka shënuar shtatë gola në 41 paraqitje.

“Bayerni është një klub i madh, një nga më të mirët në botë dhe është një motiv i madh për mua që tani të luaj përkrah këtyre lojtarëve të jashtëzakonshëm në një ekip”, tha Cancelo në prezantimin e tij. “E di që ky klub, ky ekip jeton për tituj dhe fiton tituj çdo vit. Unë jam gjithashtu i shtyrë nga uria për sukses”.

Bayerni ka pasur vështirësi këtë vit me tri barazime radhazi 1:1 kundër Leipzigut, Koelnit dhe Eintracht Frankfurtit.

Artikuj të ngjashëm