Sport

Cancelo i jep Bayernit energji të re para ndeshjeve vendimtare

Joao Cancelo mund të jetë pjesa që mungonte në enigmën e Bayern Muenchenit. Mbrojtësi portugez, për një kohë të gjatë lojtar kyç te Manchester City, dukej në formë të përsosur në debutimin e tij me fanellën e Bayernit. Atij iu nevojitën vetëm 17 minuta për të asistuar në golin e parë të bavarezëve në fitoren 4:0 ndaj Mainzit në Kupën e Gjermanisë, të mërkurën mbrëma. Loja dha një tregues të asetit më të madh të Cancelos për Bayernin - shkathtësinë e tij. Kampioni gjerman mund ta bëjë marrëveshjen e tij të huazimit të përhershme për 70 milionë euro në verë.

Cancelo luajti në krahun e djathtë të mesfushës, jo në pozicionin e mbrojtësit të majtë që zakonisht e zinte për Pep Guardiolën te City. Dhe trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, luajti me tre mbrojtës për herë të parë, siç bënte te skuadra e tij e vjetër, Leipzigu. Nagelsmann shpjegoi se ideja ishte të ushtrohej më shumë presion përmes qendrës së mesfushës kundër një kundërshtari me prirje mbrojtëse.

“Cancelo vetëm dëshmoi se sa lojtar kreativ është dhe përfundimisht ne kemi pasur nevojë për të. Ai di të mbrohet shumë mirë, por edhe të sulmojë dhe të harkojë. Ai shkëlqeu në ndeshjen e parë dhe do ta na ndihmojë shumë për duelet e tjera që na presin”, pranoi Nagelsmann.

Kjo taktikë funksionoi pasi Bayerni regjistroi fitoren e parë të vitit 2023 pas tri barazimeve 1:1 në Bundesligë. Kjo nuk do të thotë se Cancelo nuk do të luajë gjithashtu rolin e tij të preferuar të mbrojtësit të majtë. Ndërrimi i formacionit të mërkurën ishte më shumë një ndryshim i përkohshëm sesa një ndryshim thelbësor në mënyrën se si luan Bayerni.

Mungesa e Lucas Hernandezit shkaku i dëmtimit të rëndë në gju që e pësoi në Kupën e Botës “Katari 2022”, e la Bayernin pa mbulesë në të majtë dhe të mbështetej tek Alphonso Davies i prirë për dëmtime së fundmi. Në planin afatgjatë dhe veçanërisht nëse Bayerni aktivizon opsionin e blerjes së Cancelos, ai mund të përfundojë si mbrojtës i djathtë, pozicion që e luan përgjithësisht te Portugalia. Paraqitjet e Benjamin Pavard nuk kanë qenë bindëse këtë sezon dhe francezi është lidhur me një lëvizje te Barcelona në verë. Noussair Mazraoui është një mbrojtës i gjithanshëm, por ai nuk ka luajtur që nga gjysmëfinalja e Botërorit. Bayerni thotë se ai ka një problem me indet rreth zemrës pas një infeksioni me koronavirus.

“Jam i lumtur që kontribuova në fitoren e ekipit dhe debutova me asistim. Për mua nuk ka rëndësi se në cilën pozitë luaj. Jam në dispozicion të trajnerit për të dhënë më të mirën nga vetja”, premtoi Cancelo.

Bayerni është gati në rrugën e duhur për t’i përmbushur objektivat për këtë sezon. Është në krye të Bundesligës, në garë për Kupën e Gjermanisë dhe në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Por skuadra ka pasur një vështrim të pasigurt për t’i fituar të gjithë trofetë. Bayerni kryeson kampionatin me një pikë më shumë se përcjellësi i tij më i afërt, kurse kundërshtari i tij në Champions është Paris Saint-Germaini, me ndeshjen e parë që luhet më 14 shkurt. Ndeshja e së dielës kundër Wolfsburgut mund të jetë një dëshmi tjetër e mirë se si Bayerni funksionon nën presion me Cancelon në ekip.

Bayerni mund të jetë i pamposhtur ndaj Wolfsburgut që nga viti 2015, por skuadra nga Gjermania veriore është një kandidate për të siguruar një vend sezonin tjetër në Ligën e Kampionëve, për të mos përmendur 12 golat që i ka shënuar në tri ndeshjet e para kampionale të këtij viti.