Mesfushori Emre Can dhe qendërmbrojtësi Mats Hummels e vlerësojnë Përfaqësuesen e Gjermanisë vetëm autsajdere për të triumfuar në “Euro 2020”. Megjithatë, të dy futbollistët kanë insistuar se Gjermania në Evropian duhet të dëshmojë se tashmë e ka lënë prapa shpinës debaklin në kampionatin botëror “Rusia 2018”, ku u eliminua në fazën e grupeve.
Gjermania është shpallur tri herë kampione e Evropës, kurse trofeun e fundit kontinental e ka fituar në vitin 1996.
Në “Euro 2020”, që starton të premten, Gjermania futet pas një forme të dobët që ka treguar kohët e fundit. Gjermania bën pjesë në grupin më të vështirë të Evropianit. Është pjesë e Grupit F dhe ndeshjen e parë të Evropianit e luan më 15 qershor kundër kampiones së botës, Francës. Katër ditë më vonë Gjermania do të përballet edhe me kampionen në fuqi të Evropës, Portugalinë, kurse të dy këto ndeshje do t’i luajë në stadiumin “Allianz Arena” në Munich.
“Ne duhet të jemi të sinqertë me veten tonë: ne nuk jemi favoritët kryesorë për titullin, në fakt jemi autsajderë”, insistoi mesfushori i Borussia Dortmundit, Can.
Gjermania në miqësoren e parë në prag të Evropianit, që e zhvilloi javën e shkuar, luajti baras kundër Danimarkës (1:1). Ky rezultat duket se nuk është pritur aspak mirë në kampin gjerman.
Gjermanët kanë rënë në vendin e 12-të në renditjen botërore të FIFA-s, pasi janë përpjekur të marrin veten pas eliminimit të papritur në Botërorin e vitit 2018.
Reputacioni i përzgjedhësit Joachim Loew, i cili udhëhoqi Gjermaninë drejt titullit të Botës në vitin 2014, u dëmtua edhe më tej nga humbja e thellë 6:0 nga Spanja në nëntorin e vitit të shkuar. Ndërsa humbja tronditëse erdhi në muajin mars të këtij viti, kur Gjermania pësoi në shtëpi nga Maqedonia e Veriut në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”.
“Ne patjetër që duhet të përmirësohemi dhe këtë duhet ta bëjmë në Evropian”, insistoi bashkëlojtari i Canit te Dortmundi, Mats Hummels, që u rikthye te Gjermania pas dy vjetësh. “Personalisht mendoj se si ekip duhet të jemi shumë të mirë për të pasur sukses në Kampionatin Evropian. Nuk do të jetë lehtë, por besoj se zhgënjimin tashmë e kemi lënë pas vetes”.
Sidoqoftë mesfushori Can e sheh Evropianin si një rast të artë për Gjermaninë për të dëshmuar veten si skuadër që është rikuperuar pas katastrofës në vitin 2018.
“Ne duam t'i tregojmë të gjithë botës se dalja jonë e hershme nga Kupa e Botës ishte vetëm një aksident”, theksoi Can. “Gjithashtu është e qartë se titulli duhet të jetë gjithmonë synimi i Gjermanisë, sepse ne kemi lojtarë të shkëlqyeshëm dhe nuk duhet të fshihemi nga askush. Mirëpo do të jetë shumë vështirë”.
Loew, i cili do të largohet nga Gjermania pas Evropianit, ka ndryshuar vendimin e tij të vitit 2019 kur përjashtoi Hummelsin dhe Thomas Muellerin nga ekipi. Ai tashmë ka rikthyer dy futbollistët në ekip dhe shpreson që të tregohen të rëndësishëm gjatë ndeshjeve të Evropianit. Ashtu si Can edhe Hummels këmbëngul se gjermanët janë të vendosur për të treguar paraqitje më të mira sesa ato që i kanë treguar që nga viti 2018.
“Unë dua të fitoj titullin edhe pse nuk jemi favoriti kryesor për shkak të paraqitjeve të dobëta që i kemi pasur vitet e fundit, të cilat nuk ishin të qëndrueshme. Ne e dimë që kemi aftësitë dhe ekipin për të qenë në gjendje të fitojmë çdo ndeshje në këtë turne”, shtoi Hummels.