Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bytyqi premton gjëra edhe më të mëdha me Kosovën

Në dy ndeshjet e para të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, Zymer Bytyqi u inkuadrua në pjesën e dytë te Kosova. Kështu sulmuesi i krahut nuk arriti ta shfaqë potencialin që ka, e që e dëshmoi gjatë edicionit 2021/22 te Konyaspori në Superligën e Turqisë.

Në fitoren e Kosovës në udhëtim te Qipro (2:0), Bytyqi luajti prej minutës së 86-të. Ndërsa në humbjen nga Greqia (1:0) u aktivizua prej minutës së 57-të. Ndryshe ishte të enjten mbrëma, kur Bytyqi u aktivizua prej fillimi te “Dardanët”. Dhe paraqitja e tij u vlerësua lart. Paraqitjen e mirë ndaj Irlandës së Veriut e “vulosi” me gol të shënuar. Kosova shënoi fitore me shifrat 3:2 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Bytyqi luajti gjatë tërë ndeshjes. Për të ishte goli i parë me Kosovën në 14 paraqitje.

Në një intervistë për KOHËN, Bytyqi ka thënë se në secilën ndeshje që luan për Kosovën përpiqet të shënojë gol apo të asistojë. 25-vjeçari pranoi se goli i bukur ndaj Irlandës së Veriut do ta ndihmojë të përshtatet edhe më mirë te Kosova. Është i bindur se mund të bëjë shumë më tepër për “Dardanët”.

“Gjithmonë kur luaj për Kosovën pres nga vetja ndonjë gol apo asistim për shkak se këtë gjë e kam dëshmuar edhe në elitën e futbollit të Turqisë. Kështu që edhe te Kosova më nevojitet edhe pak kohë që të adaptohem për shkak se mund të bëj shumë më shumë”, është shprehur Bytyqi, të premten. “Jam shumë i kënaqur që i kemi marrë tri pikët ndaj Irlandës së Veriut dhe po ashtu jam tejet krenar që e kam shënuar golin e parë për Kosovën dhe kam ndihmuar në këtë fitore të rëndësishme”.

Bytyqi ka vlerësuar në përgjithësi paraqitjen e Kosovës ndaj Irlandës së Veriut, por ka pranuar se në ndeshjet e tjera duhet patjetër ta evitojnë pranimin e golave si ata në ndeshjen e së enjtes. Irlanda e Veriut shënoi dy gola nga dy tentime dhe në minutat e fundit të ndeshjes pati edhe dy mundësi të mira për ta barazuar rezultatin.

Edhe Bytyqi tregon pse nuk po luan tek Olympiacosi Sport Bytyqi tregon pse nuk po luan tek Olympiacosi

Sipas Bytyqit, pranimi i golave të tillë po shkakton stres gjatë ndeshjes dhe kjo nuk është aspak mirë, sidomos në momentet e fundit.

“Kemi luftuar dhe kemi luajtur mirë në përgjithësi. Do ta veçoja pjesën e parë që ishte shumë pozitive për ne dhe kemi pasur kontroll të plotë të lojës. Mirëpo duhet të punojmë shumë që në të ardhmen të mos pranojmë gola të tillë në mënyrë që të mos na japin stres gjatë ndeshjes”, ka shtuar Bytyqi, që shtoi se është i kënaqur me paraqitjen e tij.

Ai tha se triumfi ndaj Irlandës së Veriut ka ngritur moralin e ekipit, i cili do të udhëtojë në Greqi për rezultat pozitiv.

Pas tri ndeshjeve të luajtura në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, Kosova ka tubuar gjashtë pikë, tri më pak se Greqia, që i prin tabelës të Grupit 2 të Ligës C. Dueli mes Greqisë dhe Kosovës zhvillohet të dielën prej orës 20:45 në Volos dhe është i fundit për këtë muaj. Dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni Kosova i luan në shtator. Bytyqi beson se Kosova mund ta sigurojë pozitën e parë në grup, ndonëse Greqia është tri pikë para dhe ndeshjen e ardhshme e luan në shtëpi.

“Natyrisht kemi shpresa se mund ta sigurojmë vendin e parë për shkak se kemi shumë cilësi në ekip. Për ta arritur këtë duhet të kemi edhe pak fat dhe ndihmë edhe prej ekipeve të tjera. Megjithatë edhe ne mund ta mbyllim këtë çështje si ekip duke fituar në Greqi dhe në ndeshjet e tjera që i kemi”, është optimist Bytyqi.

Edhe Bytyqi: Më i kënaqur për fitoren se për golin Sport Bytyqi: Më i kënaqur për fitoren se për golin

Bytyqi prej janarit të vitit të shkuar po luan te Konyaspori në elitën e futbollit turk. Ai te kjo skuadër u transferua si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Vikingun e Norvegjisë. Gjatë edicionit të fundit, Bytyqi ka pasur një formë fantastike sikurse Konyaspori që përfundoi në vendin e tretë dhe edicionin e ri do të luajë në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Në 37 paraqitje kampionale, Bytyqi kontribuoi me tetë gola e shtatë asistime. Ai ka kontratë me ekipin turk deri në verën e vitit të ardhshëm, të cilën sipas të gjitha gjasave do ta respektojë deri në fund.

“Po, është e vërtetë që sezoni ka qenë në përgjithësi i mirë, si për mua ashtu edhe për ekipin. Kam kontratë me Konyasporin edhe një vit dhe do ta respektoj. Megjithatë, ende nuk kam menduar shumë për të ardhmen time, pasi jam tërësisht i fokusuar te Kosova. Pas pushimit që do ta kem, do të shoh çfarë do të bëj, pasi edhe mund ta vazhdoj kontratën me Konyasporin”, është shprehur Bytyqi.