Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Irlanda e Veriut udhëton në Prishtinë për fitore

Serisë prej 12 ndeshjeve rresht pa fitore, Përfaqësuesja e Irlandës së Veriut synon t’i japë fund ndaj Kosovës. Kështu ka paralajmëruar përzgjedhësi i Irlandës së Veriut, Ian Baraclough, ka raportuar “BT” të hënën. Irlanda e Veriut, të enjten, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të përballet me Kosovën në kuadër të xhiros së tretë të Grupit C2. Në dy duelet e para të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, Irlanda e Veriut ka arkëtuar vetëm një pikë. Të dielën, barazoi pa gola në udhëtim ndaj Qipros, kurse më herët u mposht në shtëpi nga Përfaqësuesja e Greqisë (1:0). E përzgjedhësi Baraclough me bindje të plotë ka thënë se pikët e humbura në dy ndeshjet e para të këtij muaji, mund të rikuperohen me triumf ndaj “Dardanëve”. Në fakt, Baraclough është në presion për fitore për shkak se në përballjen e së enjtes, ai futet me vetëm tri fitore prej 18 ndeshjeve në krye të Irlandës së Veriut. Nën drejtimin e tij, Irlanda e Veriut ka dështuar të shënojë gol në gjashtë prej nëntë ndeshjeve të fundit.

“I kemi luajtur vetëm dy ndeshje deri më tani në edicionin e ri të Ligës së Kombeve dhe ne e kemi rastin ta marrim veten në duelin e radhës. Besoj se do të jemi gati për ndeshjen me Kosovën që është shumë e rëndësishme për ne dhe këtë e kanë parasysh të gjithë”, ka paralajmëruar Baraclough.

Përfaqësuesja e Irlandës së Veriut ka vendosur që të qëndrojë edhe një ditë më shumë në Qipro, në mënyrë që futbollistët të pushojnë dhe të rigjenerohen, përpara se ta marrë rrugën drejt Prishtinës të martën pasdite. Përzgjedhësi Baraclough ka pranuar se edhe futbollistët janë të zhgënjyer me rezultatet e ndeshjeve të para, sidomos me barazimin ndaj Qipros, dhe do të jenë të motivuar maksimalisht për fitore kundër Kosovës. Madje, Baraclough ka paralajmëruar se prej ekipit të tij prej një paraqitje fantastike në Prishtinë, ndoshta më të mirën deri më tani në kuadër të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve.

“Do të rikuperohemi plotësisht para se të nisemi për ndeshjen kundër Kosovës, pasi futbollistët kanë nevojë për një çlodhje për shkak të orarit të ngarkuar të ndeshjeve. Sigurisht, se edhe ata janë tejet të dëshpëruar me rezultatet e fundit, pasi ndeshjen ndaj Qipros është dashur patjetër ta fitojmë. Në fakt, ne kishim udhëtuar për fitore, por për fat të keq nuk e arritëm rezultatin e dëshiruar”, u shpreh Baraclough. “Do t’i mbushim bateritë dhe do të jemi të gatshëm për duelin që na pret me Kosovën. Besoj se do ta bëjmë një paraqitje të mirë, me të cilën do ta sigurojmë fitoren dhe do t’i bëjmë tifozët tanë të flasin në aspektin pozitiv. Kemi nevojë për këto tri pikë dhe do të udhëtojmë me këtë synim”.

Për dallim prej Irlandës së Veriut që zë vendin e tretë në grup me vetëm një pikë, Kosova është e dyta me tri pikë, ndërsa prin Greqia me katër pikë të mbledhura pas dy ndeshjeve të zhvilluara. Një pikë e ka edhe Qipro që zë vendin e fundit. Kosova e ka mposhtur Qipron në udhëtim, kurse pësoi humbje në Prishtinë nga Greqia. Tri ditë pas duelit me Kosovën, Irlanda e Veriut e mbyll muajin qershor me ndeshjen që e luan në shtëpi ndaj Përfaqësueses së Qipros. Ndërkohë, Kosova në të njëjtën ditë do të jetë mysafire e Greqisë.