Përzgjedhësi i Irlandës së Veriut, Ian Baraclough ka insistuar së rënia në një kategori më poshtë në Ligën e Kombeve nuk është në planet e tij. Ekipi i trajnerit Baraclough është i fundit në Grupin 2 të Ligës C dhe ende nuk di për fitore në 14 ndeshje të Ligës së Kombeve të luajtura përgjatë tri edicioneve të kësaj gare. Irlanda e Veriut e pret të shtunën në Belfast Kosovën, përpara se ta zhvillojë ndeshjet e fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve në udhëtim te Greqia. E synimi i Irlandës është ta shmang pozitën e fundit në grup nëpërmjet fitores ndaj Kosovës.
“Sigurisht, nuk duam që të biem në Ligën D. Kjo nuk është në planet tona dhe rezultatet e këtyre dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve janë çelësi i koeficientit të pikëve përpara shortit të Kampionatit Evropian që është muajin tjetër”, ka thënë Baraclough të mërkurën në konferencën për shtyp. “E kemi parasysh se çka na pret këtë muaj dhe futbollistët janë tërësisht të fokusuar për të marrë të paktën një fitore”.
Baraclough u vërshëllye nga një numër i vogël mbështetësish pas barazimit 2:2 të qershorit në shtëpi ndaj Qipros, një ndeshje që shënoi një seri pa fitore prej katër ndeshjesh në 12 ditë. Goli me kokë e Jonny Evans në kohën shtesë u siguroi një pikë nikoqirëve të cilët gjithashtu barazuan në Qipro, humbën në shtëpi ndaj Greqisë dhe pësuan një humbje 3:2 në udhëtim te Kosova. Me kritikat në rritje pas goditjes së katërfishtë të qershorit, Baraclough tha se ai e kupton zhgënjimin e tifozëve pasi seria pa fitore i Irlandës së Veriut në Ligën e Kombeve u shtri në 14 ndeshje.
“Tifozët duan që ekipi i tyre të fitojë ndeshje. Por, ndjenjat e tyre nuk janë aspak të ndryshme prej ndjenjave të lojtarëve dhe trajnerit. Të gjithë ndihen të zhgënjyer, por tifozët duan ta shfryjnë atë zhgënjim. Është pjesë përbërëse e lojës, është pjesë përbërëse e rolit tim dhe ta menaxhoj atë edhe me lojtarët”, shtoi Baraclough. “Është futbolli modern për fat të keq. Kështu që, ne jemi të detyruar të kërkojmë fitoren dhe besoj se këtë muaj do t’i japim fund serisë jo të mirë që e kemi pasur në këtë garë. Është shumë e rëndësishme për ne të fitojmë dhe të presim shortin e Evropianit të motivuar”.
Baraclough shtoi se “fitorja ushqen besim” dhe thotë se fokusi i plotë i Irlandës së Veriut është që t’i jap fund kësaj serie pa fitore kundër Kosovës, ndeshje kjo që nis në orën 18:00 në stadiumin “Windsor Park” të shtunën. Ai beson se ekipi i tij mund të marrë fitoren e parë në Ligën e Kombeve ndaj Kosovës.
“Ne po sjellim lojtarë më të rinj ose po integrojmë lojtarë të rinj, kështu që nuk ka asgjë më të mirë se një fitore dhe kjo në ndeshjen që e luajmë në shtëpi kundër Kosovës. Tërë fokusi ynë është në këtë përballje të rëndësishme. Rezultatet nuk ishin ato që donim në qershor, por sigurisht se në disa raste ishim të kënaqur me lojën tonë. Shpresoj në një paraqitje edhe më të mirë këtë herë dhe në fitore, sigurisht”, insistoi Baraclough. “Mendoj se jemi shumë më të mirë sesa në qershor, pavarësisht nëse është në aspektin e fitnesit, ne kemi një skuadër pak më me përvojë, por inkuadrimi i lojtarëve të rinj i ka bërë mirë ekipit”.
Edhe
Baraclough kërkon ta mposhtë Kosovën për fitoren e parë në Ligën e Kombeve
Baraclough ka një skuadër të re për të zgjedhur për dy ndeshjet e këtij muaji dhe mirëpret trajnerin e ekipit U21 të West Ham Unitedit, Mark Robson në stafin e tij për ta ndihmuar në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve. Baraclough zbuloi gjithashtu se sulmuesi i krahut i Leeds Unitedit, Stuart Dallas do të bashkohet me skuadrën ndërsa ai vazhdon rikuperimin e tij nga lëndimi i këmbës.
“Ai do të hyjë, nuk është ende, por do të kalojë disa ditë me ne, pasi ne thamë se duam të luajmë një rol në rehabilitimin e tij”, shtoi Baraclough. “Ai është i përfshirë dhe mund të luajë një rol me mua dhe stafin stërvitor gjithashtu në disa gjëra dhe ne mund t'i japim një tregues të hershëm për karrierën e tij si trajner dhe të shohim se ku është. Do të jetë mirë të zgjedhësh mendimet e tij për këto ndeshje që na presin. Megjithatë, fillimisht fokusin e kemi te Kosova, përpara se të mendojmë për duelin e fundit ndaj Greqisë”.