Portieri Samir Ujkani mundohej të ndante kohë për të gjitha, gjatë stërvitjes së parë që Kosova e zhvilloi në mëngjesin e së martës pas disfatës së pësuar të dielën nga Greqia. Ujkani nganjëherë fliste edhe me zë të lartë. Këtë e bënte për të rritur motivin tek lojtarët që vijnë pas humbjes 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ai pranon se disponimi bie tek lojtarët pas ndonjë disfate. Por i fton futbollistët e tjerë ta lënë prapa ndeshjen me Greqinë dhe të fokusohen për duelin që Kosova e luan në Prishtinë të enjten përballë Irlandës së Veriut.
Ujkani ishte i vetmi prej lojtarëve që pas stërvitjes foli për Federatën e Futbollit të Kosovës. Ai tha se nuk kanë kohë të mendojnë për të kaluarën. Fokusi, sipas tij, duhet të jetë ndeshja e radhës.
Ujkani do të jetë startues në ndeshjen kundër Irlandës së Veriut. Ai do të paraqitet në vend të portierit të parë, Arijanet Muriq. Aro u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen kundër Greqisë. Ujkani pritet ta bartë edhe shiritin e kapitenit në ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut. Kur Ujkani është në bankën e rezervistëve, shiritin e kapitenit e bart Amir Rrahmani.
“Falënderoj shikuesit e pranishëm dhe ‘Dardanët’ për përkrahjen e madhe. Stadiumi ishte i mbushur, por rezultati nuk ishte pozitiv, por nuk kemi kohë të mendojmë më për atë rezultat, duhet të mendojmë për ndeshjen që e kemi të enjten dhe duhet të jemi të bashkuar për të pasur rezultat pozitiv”, ka thënë Ujkani.
Kosova ndeshjen e parë të grupit të dytë të Ligës C të Ligës së Kombeve e fitoi ndaj Qipros në udhëtim. Më pas të dielën u mposht nga Greqia, ndërsa të enjten luan ndeshjen e tretë të këtij muaji kundër Irlandës së Veriut. Synimi, sipas Ujkanit, është veç fitorja.
“Pas çdo humbjeje, sigurisht se atmosfera nuk është e mirë, por nuk kemi kohë për të menduar se çka ka ndodhur, por të jemi të gatshëm për ndeshjen që e luajmë të enjten”, është shprehur Ujkani.
Loja e Kosovës përballë grekëve u kritikua. Shumë lojtarë u gjykuan, ndërsa Ujkani thotë se nuk është nevoja të ndryshohet asgjë nga ndeshjet e kaluara. Ai thotë se duhet maksimumi për të dalë fitues.
“Në lojën tonë nuk duhet të ndryshojë diçka, duhet vetëm të japim maksimumin të gjithë, ashtu siç e japim në çdo ndeshje. Meritat i marrim pas lojës, sepse rezultati gjithmonë të bën të ndihesh pozitiv. Ne duhet të luajmë për rezultat dhe shpresojmë se mund të arrijmë të enjten një gjë të tillë”, deklaroi Ujkani.
Kosova me Irlandën e Veriut përballet për herë të parë. Irlanda e Veriut nuk vlerësohet e nivelit të Kosovës. Të paktën lojtarët e Kosovës luajnë në një nivel më të lartë klubesh. Shumica e tyre luajnë në klube të divizioneve të ndryshme të Anglisë. Irlanda e Veriut është në një seri prej 12 ndeshjeve rresht pa fitore në Ligën e Kombeve. Ujkani thotë se Kosova synon ta fitojë Grupin C2.
“Për neve është e arritur të jesh pjesë e Kosovës, sepse gjithmonë kanë qenë pas nesh tifozët. Të gjithë së bashku mund t’ia dalim të shënojmë fitore, pasi shpresat tona janë gjithnjë për ta fituar grupin”, ka thënë Ujkani.
Ndeshjen e fundit të këtij muaji Kosova e luan të dielën në udhëtim te Greqia.