Sport

Bullgarët nuk e përfshijnë Kosovën në votim, por Distria është sportistja më e votuar në garën për më të mirin e Ballkanit

Agjenci lajmesh nga dhjetë vende të regjionit kanë votuar për sportistin më të mirë të Ballkanit për vitin 2021. Pjesë e votimit nuk ishte ndonjë agjenci lajmesh nga Kosova. Por me gjithë anashkalimin e Kosovës, Distria Krasniqi ka përfunduar lart në listën e sportistëve më të mirë të Ballkanit.

Është Agjencia Telegrafike e Bullgarisë (BTA) që për herë të 48-të ka organizuar votimin për sportistin më të mirë të Ballkanit.

Votuan agjencitë nacionale të lajmeve si: BTA (Bullgari), ANA-MPA (Greqi), AGERPRES (Rumani), Anadolu Agency (Turqi), Tanjug (Serbi), MINA (Mali i Zi), MIA (Maqedonia e Veriut), HINA (Kroaci), FENA (Bosnjë-Hercegovinë), ATA (Shqipëri).

Ndonëse pa ndonjë lobim të fortë, Distria Krasniqi është renditur e katërta në mesin e sportistëve më të mirë të Ballkanit. Ajo mori 32 pikë. Më i miri është shpallur Novak Gjokoviq, tenisti nga Serbia, që mblodhi 83 pikë. Basketbolli që përfaqëson Greqinë, Giannis Antetokounmpo ishte i dyti me 56 pikë, ndërsa atleti grek, Miltiadis Tentoglou, u rendit i treti. Ai mori 48 vota.
Menjëherë pas tyre ishte Distria, që i bie të jetë sportistja më e votuar për çmimin e më të mirit të Ballkanit.

Jovana Perkoviq (Serbi, karate), Ivet Goranova (Bullgari, karate), Bilyana Dudova (Bullgari, mundje), Martin Sinkoviq dhe Valent Sinkoviq (Kroaci, lundrim), Mete Gazoz (Turqi, shigjetari), Nikoleta-Ankutza Bodnar dhe Simona Radish (Rumani, lundrim) mbetën pas Distrisë.

Gjithsej 39 sportistë kanë marrë vota. Nora Gjakova, kampionia tjetër olimpike nga Kosova, është renditur e 19-ta.

Ylli i tenisit, Gjokoviq, ishte i vetmi që është votuar nga të gjitha agjencitë e lajmeve të regjionit. Ai është shpallur më i miri i Ballkanit për herë të shtatë.

Të tre sportistët që ishin para Distrisë, janë yje të disiplinave përkatëse. Distria po ashtu është yll i xhudos. Ajo ka fituar medaljen e artë olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë dhe ishte më e mira e Evropës. U shpall nga IJF-ja xhudistja më e mirë e vitit 2021.

Kosova për herë të parë ka pasur sportistë të renditur kaq lart. Ky vlerësohet një tjetër mirënjohje për ngritjen e jashtëzakonshme të xhudos kosovare.

Sportistët nga Bullgaria janë shprehur krenarë që kanë zënë vend në këtë renditje me traditë të gjatë.