Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka zënë vend në ranglistën e dhjetë sportistëve më të mirë në Ballkan.
Është Agjencia Bullgare e Lajmeve, BTA, që shpall më të mirët e sportit në regjionin e Ballkanit. Dhe për vitin 2025, në mesin e dhjetë më të mirëve është edhe Distria Krasniqi.
BTA për herë të 52-të shpall më të mirët e regjionit. Kjo përzgjedhje tradicionale bëhet me votat e agjencive të lajmeve nga Bullgaria, Kosova, Shqipëria, Greqia, Rumania, Turqia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Qiproja.
Në dhjetëshen më të mirë ka sportistë shumë të njohur nga regjioni i Ballkanit. Pjesë e kësaj renditje janë edhe basketbollisti i njohur turk, Alperen Shengun, notari i Rumanisë, David Popovici, atleti Emmanouil Karalis i Greqisë, skitarja kroate, Zrinka Lutiq, basketbollisti serb, Nikola Jokiq, lundruesi grek, Stefanos Douskos, basketbollisti grek, Giannis Antetokounmpo, volejbollisti bullgar, Aleksandar Nikolov dhe peshëngritësi i Bullgarisë, Karlos Nasar.
Në mesin e këtyre sportistëve ka kampionë botërorë, kampionë evropiane dhe fitues medaljesh botërore e evropiane. Tre basketbollistët e përzgjedhur janë yje të NBA-së.
Sipas njoftimit të BTA-së, në ranglistë janë përfshirë gjithsej 47 sportistë. Dhe Distria është në mesin e dhjetë më të votuarve, pra pjesë e grupit elitar të sportistëve të Ballkanit. Fituesi do të zbulohet më 16 shkurt në Sofje të Bullgarisë.
Nga Kosova pjesë e votimit ishte agjencia e lajmeve KosovaPress.
Distria ka pasur një tjetër vit të mahnitshëm. E fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian, më 23 prill në Podgoricë. Më 13 qershor u shpall nënkampione e botës në Budapest të Hungarisë.
Ka fituar edhe medalje të tjera të vlefshme, si të bronztën në Grand Slam të Parisit, të argjendtën në Grand Prix në Austri, të artën në Grand Prix në Zagreb dhe të bronztën në Grand Slam në Abu Dabi. Xhudistja pejane fitoi medalje në secilën garë të madhe ku mori pjesë.
Ajo ka dy medalje olimpike, të artë e të argjendtë, ndërsa synon tjetër vend në podiumin më të madh të sportit në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.