Të arrihet niveli i lartë në sport është goxha sfidë. Por të mbahet niveli i lartë, dhe atë për kohë shumë të gjatë, është edhe më e vështirë. Ky parim nuk ndryshon asnjëherë.
Dhe xhudoja kosovare ka prekur majën dhe po qëndron atje. Ka qëndruar edhe gjatë vitit 2025, ndonëse sfidat nuk ishin të pakta.
Xhudistët, përkatësisht nxënësit e kryemjeshtrit Driton Kuka, kanë fituar edhe gjatë këtij viti medalje në ngjarjet më të mëdha. Kanë fituar medalje në Kampionat Botëror, në Kampionat Evropian, në garat Grand Slam e Grand Prix të xhudos dhe në garat e tjera. Dhe si shumë herë deri më tani, kanë fituar edhe medaljet e vetme për Kosovën në ngjarjet shumësportëshe.
Pse 2025-a ishte vit sfidues për xhudon?
Nora Gjakova, njëra prej sportisteve më të mira shqiptare në histori, garoi vetëm në fillim të vitit dhe më pas iu bashkua ekipit të trajnerëve. Laura Fazliu gjatë vitit ka pasur telashe me lëndime. Lëndime kishte edhe Akil Gjakova, por edhe xhudistët e tjerë, që nuk kanë prekur ende nivelin e Laurës dhe Akilit.
Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, është dalluar edhe këtë vit. Ajo, ndër të tjera, fitoi medalje të argjendtë botërore dhe tjetër titull të Evropës. Për herë të parë në karrierë, Distria u paraqit në finale të Kampionatit Botëror për të rritur. Vitin e përfundoi e para në ranglistën botërore të kategorisë deri 52 kilogramë. Dhe është e dyta në ranglistën e të gjithë xhudistëve dhe xhudisteve në botë.
Distria mori pjesë në gjashtë ngjarje të mëdha dhe në të gjitha fitoi medalje.
“Ka qenë një vit shumë i mirë për mua. Është hera e parë që kam hyrë në një finale të Kampionatit Botëror për seniorë. E kam përsëritur për herë të tretë titullin e kampiones evropiane. Ka qenë një vit i mirë dhe shpresoj që edhe viti i ardhshëm të jetë kështu, edhe pse gjithmonë synimi im është të shpallem kampione botërore dhe evropiane. Të shohim. Ka qenë vit i mirë sepse në çdo garë që kam marrë pjesë, kam qenë medaliste, në podium, kështu që, jam e kënaqur”, ka thënë Distria për KOHËN.
Ajo për herë të gjashtë është shpallur nga KOHA si sportistja më e mirë në Kosovë.
Distrinë e dallon motivi i madh për suksese të reja kulmore. Në vitin 2026 e nis “sulmin” e vërtetë për medaljen e tretë olimpike, që do të ishte e jashtëzakonshme. Lojërat e ardhshme Olimpike Verore mbahen në vitin 2028 në Los Angeles.
“Prej vitit të ardhshëm, në mos gaboj nga maji apo qershori, fillojnë të numërohen pikët olimpike, për normën olimpike 'LA 2028'. Kështu që, normalisht, i marrim shumë më seriozisht garat, po ashtu edhe përgatitjet. Përgatitemi më fort dhe më specifikisht për çdo kundërshtare. Kështu që është një vit shumë me rëndësi, jam duke ushtruar mirë, po përgatitem mirë dhe shpresoj pa lëndime. Dhe e di që do të kem performancë të mirë”, ka vazhduar Krasniqi.
Laura Fazliu ka garuar më pak këtë vit. Por po ashtu ka pasur sukses kulmor. Ishte e treta në Kampionatin Botëror që u mbajt në Budapest të Hungarisë në qershor. Fitoi medalje bronzi edhe në Grand Prix të Austrisë në mars, ndërsa në Grand Slamin në Abu Dabi ishte e pesta. Por medalja botërore e bën të suksesshëm 2025-tën për Laurën.
Akil Gjakova nuk ka garuar që nga Botërori në qershor. Në garën më të famshme të xhudos, në Grand Slamin e Parisit, u rendit i dyti. Në Evropian ishte i shtati.
Nora Gjakova në Grand Slamin e Parisit u rendit e treta. Më nuk garoi dhe nuk pritet të garojë.
Shpati Zekaj ka bërë një lëvizje të rëndësishme para duke u renditur i treti në Kupën Evropiane në Shkup. Në Grand Prix në Zagreb ishte i shtati. Medalje të bronztë në Kupë Evropiane, në Sarajevë, fitoi Flaka Loxha, që në Zagreb ishte e pesta. Dardan Cena, Fationa Kasapi dhe disa të tjerë më të rinj janë ende në kërkim të shpërthimit në nivelin e të rriturve.
Medaljet nuk kanë munguar as në grupmoshat e reja. Më të vlefshmen e fitoi Enise Zijade. Ajo u rendit e treta në Festivalin Olimpik Evropian Veror për të Rinj që u mbajt në Shkup. Ishte medalja e vetme e Kosovës në këtë ngjarje, ku u përfaqësua me shumë garues në sporte të ndryshme.
Zijade i fitoi edhe dy medalje në Kupat Evropiane për juniorë. E bronztë ishte në Kupën Evropiane në Shkup, ndërsa e argjendtë në Kupën Evropiane në Podgoricë.
“Synimi im për vitin 2026 është të bëhem kampione evropiane, por edhe kampione e botës për juniore”, ka thënë Zijade.
Ajo është e lumtur që mund të mësojë nga kampionet olimpike, me të cilat e ndanë sallën e njëjtë.
“Po, ndihem shumë me fat, me Majlindën sidomos. Kemi çfarë të mësojmë. Është gjë e jashtëzakonshme sepse të mëson shtë gjë e jashtëzakonshme sepse të mëson çdo gjë shumë mirë”, ka shtuar xhudistja e re pejane.
KOHA e ka vlerësuar suksesin e Enise Zijades, duke ia ndarë asaj çmimin e rëndësishëm “Majlinda Kelmendi” që jepet për frymëzim në sport.

Kryemjeshtri Driton Kuka po ashtu është i kënaqur me sukseset që janë arritur gjatë vitit 2025. Ai gjatë këtij viti ishte i fokusuar që të zgjerojë bazën, përkatësisht që të rritë numrin e xhudistëve të rinj e cilësorë. Kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Prej vitit të ardhshëm Kuka e kthen fokusin te sigurimi i normave olimpike për “Los Angeles 2028”. Por rëndësi do të kenë edhe ngjarjet e mëdha, sidomos Botërori e Evropiani. Me punën që bëhet nga Kuka dhe ndihmësit e tij, të tjera medalje të mëdha priten për Kosovën.