Portieri italian, Gianluigi Buffon, është i gatshëm të rikthehet për kombëtaren italiane nëse i kërkohet të luajë në miqësoret ndaj Anglisë dhe Argjentinës muajin e ardhshëm.
40-vjeçari i kishte dhënë fund karrierës ndërkombëtare me Italinë në nëntor, pas dështimit që të kualifikohej në Botëror.
Gjithsesi, të hënën trajneri aktual i Italisë Luigi Di Biagio ka thënë se nuk ishte e drejtë që Buffoni të mbyllte karrierën 20-vjeçare me Italinë me dështimin për kualifikim në botëror.
“Kam menduar që të shkoj në pushime me familjen, por kur ekipi kombëtar ju kërkon, duhet të jeni prezent dhe të mos e braktisni”, ka thënë Buffon për “Mediaset”. “Nuk kam nevojë që të shtoj asgjë në fjalët e Di Biagios përveçse e ndjej si përgjegjësi dhe besnikëri të cilën duhet t’ia jap kombëtares në këtë moment transicioni”.
Buffon ka pasur më shumë se 175 paraqitje deri tash për Italinë.