Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Broja i kënaqur që e ndihmoi Chelsean, shpreson të vazhdojë me gola

Sulmuesi Armando Broja është i lumtur që ka dhënë kontributin e tij në fitoren 4:0 të Chelseat ndaj Prestonit në kuadër të rrethit të tretë të Kupës FA.

Të shtunën në “Stamford Bridge” para 40 mijë shikuesve, Chelsea fitoi 4:0 ndaj skuadrës së kategorisë së dytë angleze. Broja shënoi për 1:0 në minutën e 58-të. Festoi duke bërë me duar figurën e shqiponjës dykrerëshe.

Thiago Silva, Raheem Sterling dhe Enzo Fernandez shënuan golat e tjerë për kualifikimin e Chelseat në raundin e katërt.

Goli ishte i rëndësishëm sidomos për Brojën, që shpreson të përfitojë nga paraqitja në prag të ndeshjeve tjera të rëndësishme të skuadrës londineze.

“Jemi vërtet të lumtur që kemi avancuar dhe në fund mendoj se ishte paraqitje e mirë nga ne”, ka thënë Broja, shkruan të dielën sajti zyrtar i Chelseat. “Kemi vuajtur në pjesën e parë. Kemi pasur vështirësi ta thyejmë Prestonin, që ka luajtur mirë në mbrojtje. Në pjesën e dytë kemi bërë disa ndryshime. Goli i parë hapi ndeshjen dhe ne përfituam nga kjo. Ishim të kënaqur me paraqitjen dhe rezultatin. Isha vërëtetë i lumtur për golin. Mendoj se ishte gol i bukur me kokë. E kam ditur se do të kem topa nga krahët. Ishte pasim shumë i bukur dhe jam i lumtur që isha në gjendje ta godas topin me kokë dhe ta dërgojë në rrjetë. Jam i lumtur që kam shënuar dhe shpresoj që kjo të më japë vetëbesim për të vazhduar me gola të tjerë”, ka theksuar Broja.

Edhe Broja shënon për Chelsean Sport Broja shënon për Chelsean

Ai ka thënë se pavarësisht nëse starton apo paraqitet si zëvendësues, dëshiron të shënojë gola për ta ndihmuar ekipin. Broja ka përsëritur se është shumë i lumtur që goli i tij ndihmoi fitoren e Chelseat.

“Jemi të lumtur për fitoren dhe pavarësisht se në cilën garë luajmë, ne duam të konkurrojmë për trofe”, ka theksuar sulmuesi i Shqipërisë.

Chelsea do të luajë me Middlesbrough në gjysmëfinale të Kupës së Ligës.

“Fitorja ndaj Prestonit në Kupën FA ishte sfida e parë e përfunduar dhe tani mund të shkojmë në ndeshjen e radhës me vetëbesim dhe me qasje të njëjtë – të mundohemi dhe ta fitojmë ndeshjen. Më pas kemi ndeshje të rëndësishme në ligë ndaj Fulhamit, kështu që është periudhë interesante dhe është me rëndësi të vazhdojmë të mbajmë këtë formë”, ka shtuar Broja.

22-vjeçari ka dy gola këtë edicion. Një gol e ka shënuar në 12 paraaqitje në Premier League, por ka vuajtur gjatë për shkak të lëndimeve. Gola të tjerë priten prej Brojës në vazhdim të kampionatit. Ai natyrisht pritet të jetë shpresë e madhe e Shqipërisë për sukses në “Euro 2024”.

Trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino ka lavdëruar Brojën. Ka thënë se potenciali i tij është i jashtëzakonshëm. Pochettino ka kërkuar nga Broja që të jetë më pozitiv.

“Është shumë e rëndësishme për të, por dua të jem i sinqertë. Mendoj që ai duhet të shfrytëzojë këtë lloj ndeshje që të shënoi gol, të ndjej golin dhe të përmirësohet. Të përmirësohet jo vetëm në gjendjen fizike apo kapacitetin për etikë të punës, por po ashtu sa i takon gjuhës së trupit. Ai duhet të shfaqet dhe të shkojë përpara, të buzëqesh dhe të jetë më shumë pozitiv. I kam thënë që kur të dal në fushë të buzëqeshë. Në aspektin pozitiv ai duhet ta shijojë më shumë, të buzëqesh, ta mbushë veten me energji pozitive dhe të jetë i lumtur. Kjo është mënyra për ta përmirësuar lojën e tij. Potenciali është i mahnitshëm. Po flasim për njërin prej sulmuesve të me me potencialin më të madh në Angli apo në Evropë. Por tani ai duhet ta shtyjë veten para dhe ne do të mundohemi ta ndihmojmë të kuptojë që asnjëherë nuk është mjaftueshëm dhe që duhet të punojë edhe më fort”, ka thënë Pochettino.

Ai ka thënë se Brojës për shkak të mungesës së gjatë shkaku i lëndimit, i duhet kohë. Ka thënë se për sulmuesin nuk është e lehtë të performojë dhe të jetë në nivelin që presin te Chelsea.

Edhe Goli pas afro dy vjetësh i jep Brojës vetëbesim për të tjera suksese Futboll Goli pas afro dy vjetësh i jep Brojës vetëbesim për të tjera suksese

“Pritjet tona janë shumë të mëdha. Ne vërtet besojmë në të dhe qartë se do ta shtyjmë që të përmirësohet çdo ditë”, ka shtuar Pochettino.

Video e golit të Brojës: https://dubz.co/v/fc6cf6