Sport

Boksierët kosovarë jashtë Botërorit të Beogradit, shpresohet në ndërhyrje të IOC-së e AIBA-s

Boksierët kosovarë përfundimisht nuk do të jenë pjesë e Kampionatit të 21-të Botëror të boksit amator. Të dielën mbrëma është hapja zyrtare e Botërorit, që Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA) ia ka besuar Serbisë, përkatësisht Beogradit. Dhe në të nuk do të jenë tre boksierët që Federata e Boksit e Kosovës i ka paraqitur për të garuar në ngjarjen më të madhe.

Delegacioni i Kosovës ka bërë tri përpjekje për të hyrë në territorin e Serbisë, por kjo nuk i është mundësuar nga autoritetet e vendit fqinj. Pos boksierëve Shpejtim e Bashkim Bajoku dhe Patrit Behrami, në delegacion ishin edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, dhe selektori Besim Brahimi.

Përpjekjen e tretë boksierët kosovarë e kanë bërë të dielën, pasi të shtunën dy herë nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Serbisë. Madje, delegacioni kosovar ka kaluar kufirin me Serbinë. Por nuk janë lejuar të shkojnë tutje.

“Vetura jonë është kontrolluar detajisht, ndërsa udhëheqësi aty na tha se nuk mund të hyjmë në territorin e Serbisë. Sipas tij, ky është urdhër nga lart. Pra nga Qeveria e Serbisë. Na tha se mund të hyjmë vetëm pa kurrfarë shenje të Kosovës, që ne natyrisht nuk pranuam dhe u kthyem”, ka thënë për KOHËN, Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i FBOXK.

“Kjo ishe përpjekja e tretë dhe e fundit për të hyrë në Serbi. Nuk ka më kohë. Në orë 17:00 është matja zyrtare. Tani po presim ndonjë reagim nga AIBA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Ne me kërkesë të Komitetit Olimpik të Kosovës kemi provuar për herë të tretë. Sipas KOK-ut, nëse nuk na lejojnë sërish, mund të anulohet Botërori”, ka shtuar Demolli, të dielën pasdite.

Ai thekson se sa i takon Federatës së Boksit të Kosovës, është bërë maksimumi i mundshëm. Demolli vlerëson se Botërori është “mision i kryer” për Federatën kosovare. Udhëheqësit të Federatës i vjen keq nga boksierët që dy ditët e fundit i kanë kaluar më së shumti në veturë, në përpjekje për të hyrë në Serbi.

Ende sportistë që përfaqësojnë Kosovën nuk kanë garuar në ndonjë ngjarje të madhe sportive të mbajtur në territorin e Serbisë. Është shpresuar se boksierët do të jenë të parët, por kjo nuk ndodhi, me gjithë garancitë e marra nga AIBA.

Fillimisht boksierët ishin ndalur në kufi me Serbinë me arsyetimin se kishin shenjat e Kosovës në uniforma. Autoritetet serbe u kishin thënë që të lënë në kufi uniformat me shenjat e Kosovës dhe se kështu mund të vazhdojnë rrugën për në Beograd, me përcjellje të policisë. Këtë kërkesë nuk e ka pranuar delegacioni kosovar dhe pas disa orësh boksierët u kthyen në Prishtinë. Përpjekja e dytë u bë të shtunën mbrëma. Sipas KOK-ut, anëtarët e delegacionit kosovar janë nisur drejt Serbisë herën e dytë pa uniformë me simbole shtetërore. Por edhe pa simbole nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi, me arsyetimin se “kanë hyrë në sistem dhe Qeveria e Serbisë nuk e lejon hyrjen e tyre”.

AIBA të shtunën reagoi për ndalimin e delegacionit kosovar. Në komunikatë shkruan se “AIBA pret që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të mos trajtohet ndryshe nga delegacionet e tjera”.

AIBA kishte njoftuar se është në kontakt me Federatën e Boksit të Serbisë, si organizatore e Botërorit, në përpjekje për të korrigjuar situatën. Por kjo nuk ka ndodhur.

Edhe autoritetet në Kosovë, politike e sportive, kanë dënuar veprimin diskriminues të Serbisë. Është njoftuar edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për situatën.

Por me shumë mundësi edhe një ngjarje e rëndësishme sportive do të mbahet pa pjesëmarrjen e Kosovës, ndonëse prej vitit 2014 Kosova është anëtare e AIBA-s me të drejta të plota.