Talenti Bleon Kurtulus luan me të juniorët e skuadrës së Halmstadit, por vitin tjetër do të ketë rol edhe më të madh në klub, ka shkruar “fotbolldirekt” të mërkurën. 15-vjeçari Bleon Kurtulus, vëllau i Edvin Kurtulusit që është pjesë e Hammarbyt, luan me grupmoshën U19, por ushtron me skuadrën seniore të Halmstadit. Nga janari i vitit tjetër, ai do të jetë pjesë e ekipit A.
“Është ndjenjë e mirë, është një lloj lehtësimi. E kam menduar këtë për një kohë të gjatë dhe tani ishte koha e duhur. Do të jem i përkushtuar vetëm në futboll”, ka thënë Kurtulusi i ri për faqen zyrtare të klubit. Për Bleon Kurtulusin ka folur edhe trajneri i skuadrës seniore të Halmstadit, Magnus Haglund. Ai ka besim të madh në të. “Bleoni është lojtar defensiv në të cilin kemi besim për të ardhmen. Lojtar me kualitete të larta defensive e ofensive”, është shprehur Haglund. “Edhe një herë tjetër, një lojtar i Akademisë del në ekipin A”, ka thënë ai.
Bleon Kurtulus është pjesë e Halmstad BK qëkur ishte fëmijë. Kontrata e tij do të jetë trevjeçare. Edvin Kurtulus ishte kapiten i Kosovës U21, por më pas vendosi ta përfaqësojë Suedinë.