Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Biletat e Botërorit në Katar, më të shtrenjtat ndonjëherë

Tifozët e futbollit që do t’i përcjellin ndeshjet e Kupës së Botës në Katar do të shpenzojnë afër 40% më shumë për biletat e ndeshjeve në krahasim me ata të cilët i përcollën ballafaqimet në Botërorin 2018 që u mbajt në Rusi. Bileta e finales do të kushtojë mesatarisht 784 euro, kanë shkruar mediat e huaja të enjten. Përderisa tifozët në Rusi paguan mesatare prej 245 eurove për një ulëse në stadium, biletat e ndeshjeve në Katar kushtojnë mesatarisht 327 eurove, sipas studimit të “Keller Sports”.

Çmimet e biletave në Katar janë më të shtrenjtat në një Kupë të Botës në 20 vjetët e fundit, ndërsa ato të finales janë 59% më të shtrenjta sesa katër vjet më parë. “Kupa e Botës në Katar tashmë po konsiderohet si më e shtrenjta ndonjëherë. Ndërtimi i gjashtë stadiumeve të reja dhe kompletimi i rinovimit të dy arenave të tjera në këtë shtet, kanë kushtuar rreth 3 miliardë euro. Shumë para janë shpenzuar në zgjerimin e infrastrukturës në kryeqytetin Doha, si rrugët e transportit dhe rikonstruktimi i aeroportit internacional. Nuk është befasuese që ngjarja në Katar është Kupa e Botës me biletat më të shtrenjta”, shkruhet në njoftimin e “Keller Sports”.

Trupi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, nuk është përgjigjur për ndonjë koment. FIFA më herët ka thënë se afër tre milionë bileta në tetë stadiumet në Katar janë shitur para nisjes së Botërorit. Kupa e Botës në Katar do të nisë të dielën dhe do të përfundojë më 18 dhjetor. Është hera e parë që organizohet në Lindje të Mesme. Biletat për Kupën e Botës 2006 që u organizua në Gjermani janë vlerësuar si më të kapshmet në 20 vjetët e fundit. Mesatarja e një bilete për ndeshje ka kushtuar rreth 115 euro, ndërsa bileta për finalen që u mbajt në “Olympiastadion” të Berlinit, ka kushtuar rreth 253 euro.