Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Besim Hasanit i ndahet çmimi i lartë olimpik

Presidentit shumëvjeçar të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, do t’i bëhet një nderim i veçantë të hënën mbrëma. Ish-presidentit të KOK-ut do t’i ndahet çmimi më i lartë olimpik, Urdhri Olimpik (Olympic Order).

Është presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, që e ka ftuar Hasanin në ceremoninë “IOC Golden Rings Awards” që mbahet të hënën mbrëma në Shtëpinë Olimpike në Lozanë të Zvicrës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Me këtë rast dhe si pjesë integrale e ceremonisë, unë do të ndaj për ju Urdhrin Olimpik. Për mua do të jetë kënaqësi e madhe t’ju shoh në Lozanë në këtë mbrëmje”, shkruan në ftesën që Bach i ka dërguar Besim Hasanit.

Besim Hasani është shprehur i lumtur dhe i nderuar që do ta marrë çmimin e rëndësishëm të IOC-së.

“Bëhet fjalë për çmimin më të madh të lëvizjes olimpike dhe natyrisht ky është një nder i madh që më bëhet”, ka thënë Hasani për KOHËN.

Ai e ka drejtuar Komitetin Olimpik të Kosovës nga viti 1996 deri në mars të këtij viti. Ishte në krye të KOK-ut në procesin e komplikuar dhe të vështirë të pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Hasani e udhëheq Federatën e Karlingut dhe ka shprehur aspirata që të kthehet sërish në krye të KOK-ut.

Është Komiteti Ekzekutiv i IOC-së që në qershor të këtij viti vendosi për t’ia ndarë Urdhrin Olimpik, Hasanit, për “shërbimin e jashtëzakonshëm për lëvizjen olimpike”.

Urdhri Olimpik ndahet për personalitetet që kanë promovuar idealet olimpike me veprimet e tyre, që kanë të arritura të jashtëzakonshme në botën e sportit ose kanë bërë shërbim të jashtëzakonshëm për çështje olimpike.

Ky çmim është formuar në vitin 1975 dhe është ndarë për figura shumë të njohura botërore. Nga dy herë e kanë fituar Nadia Comaneci dhe Arthur Nuzman.

Urdhri Olimpik jepet i artë dhe i argjendtë. Pra, janë dy kategori të këtij çmimi.