Prishtinë, 8 nëntor – Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, ka dorëzuar të hënën mbrëma “Urdhrin Olimpik” për ish-presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.
“Urdhri Olimpik” është çmim i madh që e ndan Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Ceremonia gjatë së cilës Hasani ka pranuar çmimin e vlefshëm është mbajtur në Lozanë të Zvicrës, në Shtëpinë Olimpike. Gjatë ceremonisë “IOC GOlden Rings Awards” janë ndarë dy çmime “Urdhri Olimpik”. Pos Hasanit, ai i është ndarë edhe amerikanit Peter Diamond, nënpresident i NBC Olympics. Ndikimi i Diamond në lëvizjen olimpike vlerësohet shumë i madh. Ai është pjesë e rëndësishme e transmetuesit NBC Olympics.
Për lëvizjen olimpike, sidomos atë në Kosovë, me shumë peshë vlerësohet edhe Besim Hasani, që ishte në krye të KOK-ut nga viti 1996 e deri në mars të këtij viti.
“Është një nder për mua që ta prezantoj të shpërblyerin e dytë me këtë çmim të rëndësishëm. Besim Hasani është pionier dhe lider i madh sportiv dhe konsiderohet si personi që ia ka mundësuar Kosovës ta fitojë njohjen ndërkombëtare në sport. Për më shumë se 20 vjet ai ka luftuar për ëndrrën e tij. Falë angazhimit dhe vendosmërisë së tij, ëndrra e tij u realizua në dhjetor të vitit 2014 kur Komiteti Olimpik i Kosovës u pranua në IOC. Gjatë gjashtë vjetëve të tij si president i KOK-ut pas pranimit, ai punoi pa u lodhur për të promovuar sportin dhe lëvizjen olimpike në Kosovë. Kjo u shpërblye me paraqitjet e mira të sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare disa vjet më vonë. Të gjithë e kujtojmë medaljen e parë të Kosovës në vitin 2016 në Rio që e fitoi Majlinda Kelmendi. Ishte medalja e parë e artë e Kosovës në paraqitjen e parë në Lojërat Olimpike. Ky sukses u prit jashtëzakonisht mirë dhe me krenari në Kosovë, por më shumë e inspiroi gjeneratën e re që të besojë në ëndrrën dhe të ardhmen”, ka thënë në ceremoni Robin Mitchell, anëtar i rëndësishëm i IOC-së. Ai ka prezantuar profilin e Besim Hasanit në ceremoninë në Lozanë.
“Hasani luajti rol lideri dhe e promovoi shpirtin olimpik në zemrat e njerëzve dhe të rinjve të Kosovës. Ai gjithashtu kualifikoi stafin ne menaxhmentin sportiv në Kosovë dhe lidershipi i tij e bëri Kosovën të njohur për punën e madhe edhe në IOC. Hasani ka qenë njeriu kryesor në promovimin e sportit të Kosovës”, ka shtuar Mitchell.
Më pas fjalën e mori i pari i IOC-së, Thomas Bach.
“Si mirënjohje për angazhimin e madh për sportin e Kosovës, të shpërblejë me Urdhrin Olimpik për punën e palodhshme dhe promovimin e sportit të Kosovës”, iu drejtua Bach ish-presidentit të KOK-ut.
Më pas Hasani mbajti një fjalim të gjatë para dhjetëra të pranishmëve në ceremoninë e mbajtur në Shtëpinë Olimpike.
“Jam shumë i nderuar, shumë i lumtur dhe krenar që kam pranuar çmimin më të lartë olimpik të IOC-së. Është privilegj i madh për mua ta marr këtë çmim nga miku im Thomas Bach, kreu i IOC-së, i cili na ka përkrahur shumë gjatë rrugëtimit tonë. Kurrë nuk kam takuar një njeri si Bachu, i cili kur ka premtuar diçka e ka mbajtur fjalën. Po i përmendi tri gjëra. Ne kishim shumë vështirësi në shtetin tonë, por popullata jonë është shumë e re dhe pasioni për sport është i madh. Bachu na premtoi se një ditë nën presidencën e ti, do të bëjë të pamundurën që edhe sportistët e Kosovës të jenë të barabartë me të tjerët duke na pranuar në IOC. Falë tij u bëmë anëtar të plotë të IOC-së dhe të barabartë me sportistët e tjerë. Premtimi i dytë ishte ta vizitojë Kosovën dhe erdhi për ta vizituar Kosovën, ku gjatë vizitës premtoi se nëse Kosova fiton medalje në Olimpiadë, atë do ta ndajë personalisht ai. Edhe këtë premtim e mbajti. Këto ishin premtimet e tij, por edhe ne i premtuam mikut tonë të madh. Sportistët dhe trajnerët tanë i premtuan se kurrë nuk do ta zhgënjejmë. Shkuan në Lojërat Olimpike dhe fituan medalje. Ne po punojmë shumë që të jeni në mesin e dhjetë komiteteve më të mira olimpike në botë, pasi edhe këtë ia kemi premtuar Bachut”, ka thënë Hasani. Ai ua ka kushtuar çmimin të gjithë sportistëve kosovarë.
“Besoj se në IOC e kanë parë që jemi në rrugë të mirë dhe më kanë nderuar me këtë çmim, të cilin ua dedikoj të gjithë sportistëve kosovarë, trajnerëve dhe liderëve të sportit, që të punojnë me pasion për ta mbajtur premtimin që ia kemi dhënë mikut tonë të madh”, ka shtuar Hasani.