Me daljet e suksesshme pas krosimeve të lojtareve të Turqisë, Besarta Leci ka ofruar siguri për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Falë edhe paraqitjes së saj, Kosova nisi me fitore të madhe eliminatoret e para për evropian, atë të vitit 2021.
Të premten e kaluar në Prishtinë, Kosova fitoi 2:0 ndaj Turqisë. Menjëherë të martën (sot), përfaqësuesja e futbollisteve e luan ndeshjen e dytë të eliminatoreve për kampionatin e ardhshëm evropian. Në Dravograd të Sllovenisë, takohet me përfaqësuesen sllovene, nga ora 17:00, shkruan sot Koha Ditore.
Me gjithë disa lëshime fare të vogla, sidomos në lojën me këmbë, portierja Leci është vlerësuar prej pikave të forta të Kosovës në ndeshjen me Turqinë. Prej saj pritet një tjetër ndeshje e madhe, që kështu të rritë gjasat që Kosova të kthehet e pamposhtur nga Sllovenia.
Besarta Leci (25) është prej lojtareve me përvojë të Kosovës. Ajo luan për skuadrën gjermane Sindelfingen, që garon në kategorinë e katërt. Te Kosova është e pakonkurrencë për portë, ndërsa shtatlarta ka nisur me ndeshje vitin e kaluar...(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)