Sport

Besa në raundin e tretë të Kupës Evropiane, kërkon të shkojë edhe më lart

Me fitore të thella, si asnjëherë më parë, Besa Famgas ka avancuar në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Është niveli i tretë i garave evropiane për klube të henbollistëve, ku kampionia e Kosovës e kërkon suksesin këtë edicion.

Besa Famgas, të shtunën e të dielën në palestrën “Karagaçi” në Pejë, u përball me skuadrën boshnjake Bosna Visoko. Bosna Visoko nuk po kalon ditët më të mira, ndërsa ndaj Besës ishte inferiore. Besa Famgas ndeshjen e parë e fitoi me shifrat 36:18. Ndeshjen e dytë, të luajtur të dielën, pejanët e fituan me rezultat 32:20. Në të vërtetë, ndeshja e dytë më shumë ishte formalitet. Pejanët kualifikimin thuajse e kishin siguruar në ndeshjen e parë.

Në ndeshjen e parë u dalluan Kastriot Jupa me 12 gola nga 12 tentime, Nikola Prce me organizim thuajse perfekt të lojës dhe portieri Mursel Mehmeti. Të dielën rastin e fituan lojtarët e rinj, që e shfrytëzuan atë.

“Fatmirësisht gjithçka shkoi mirë në të dy ndeshjet kundër boshnjakëve. Dëshmuam që këtë edicion jemi skuadër serioze në Kupën Evropiane. Kemi fituar shumë besim me këto dy fitore. Kishim dy superndeshje dhe asnjëherë nuk e rrezikuam fitoren. Tani presim shortin për fazën e ardhshme dhe shpresoj që do të vazhdojmë me kësi paraqitjesh”, ka thënë Jupa për KOHËN.

Ai është prej lojtarëve kryesorë edhe te Kosova. Ka më së shumti gola e më së shumti ndeshje të luajtura. Ndërkohë, Prce është legjendë e hendbollit në Bosnjë-Hercegovinë.

Legjendë në vendin e tij është trajneri spanjoll i Besa Famgas, Javier Cabanas. Besa në përbërje ka edhe liderin e Greqisë, Charalampos Mallios, dhe ish-reprezentuesin e Spanjës, Victor Alonso.

“Kemi luajtur në nivel shumë të mirë, sidomos në mbrojtje. Portieri ynë është paraqitur shumë mirë. Duhet ende të bëjmë disa përmirësime në sulm. Duhet të luajmë më shumë si kolektiv, e më pak lojë individuale. Ishin fitore të shkëlqyera për ne. Kemi fituar me 30 gola dallim në dy ndeshje dhe tani po presim shortin për të mësuar se kundër kujt do të luajmë në raundin e tretë”, ka thënë trajneri Cabanas.

Në raundin e tretë paraqitet edhe Prishtina, që kaloi pa lojë skuadrën bullgare Dobrudja. Në fakt, Dobrudja hoqi dorë nga ndeshjet për shkak të situatës me COVID-19. Njëjtë kanë vepruar edhe shumë skuadra të tjera evropiane.

Por, jo edhe skuadrat kosovare. Këtë edicion në Kupën Evropiane janë paraqitur gjithsej pesë skuadra nga Kosova. Te hendbollistet, Vushtrria e Istogu nisën prej raundit të dytë, kurse kampioni Ferizaj prej raundit të tretë.

Istogu e kishte eliminuar Vushtrrinë, ndërsa Ferizaj humbi thellë dy ndeshje në Turqi nga Muratpasha. Kështu, skuadra e vetme e mbetur në garë ishte Istogu. Por, vetëm deri të dielën. Ndonëse i luajti dy ndeshje në shtëpi, Istogu nuk ia doli të kaloi raundin e tretë të Kupës Evropiane. Madje, nuk mjaftoi as fakti që ndeshjen e parë istogaset e fituan me tre gola dallim 33:30. Ndeshja e parë ishte luajtur të shtunën, ndërsa ndeshja e dytë, e luajtur të dielën, përfundoi me fitoren e skuadrës bjelloruse Victoria Berestie me katër gola dallim, 32:28. Ndeshja e dytë ishte dramatike. Në fund lojtaret e Istogut morën një përjashtim që kushtoi shumë. Fare në fund, Esma Muratoviq humbi penalltinë vendimtare. Gjuajtjen e saj e priti portierja e skuadrës bjelloruse. Kështu, Victoria-Berestie fitoi me katër gola për të avancuar tutje.

Muratoviq ishte më e mira në ndeshjen e së dielës, duke realizuar 12 gola nga 23 tentime. Pesë gola i shënoi Suzana Ujkiq. Istogu tani duhet të presë rast tjetër për të shkuar më larg në Evropë. Por, hapja e palestrës në Istog, ndonëse me shumë mangësi, i ka dhënë hov zhvillimit të sportit në këtë komunë.