Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Berisha premton suksese te Hammarby pas debutimit zhgënjyes

Sulmuesi Veton Berisha ka premtuar gola dhe suksese te skuadra e Hammarbyt pas debutimit me humbje në futbollin suedez. Berisha javën e shkuar iu bashkua Hammarbyt, kurse të dielën luajti ndeshjen e parë me fanellën e ekipit të ri. Ai luajti në 20 minutat e fundit të ndeshjes kundër Varnamos, të cilën Hammarby e humbi në shtëpi. Berisha te Hammarby po konsiderohet futbollist i rëndësishëm pasi për transferimin e tij nga Vikingu i Norvegjisë, ekipi suedez ka paguar dy milionë euro dëmshpërblim.

Në një intervistë të hënën për të përditshmen suedeze “Aftonbladet”, Berisha ka pranuar se e ndien presionin te Hammarby duke pasur parasysh dëmshpërblimin e paguar për të. Megjithatë, ai ka premtuar se do të japë gjithçka nga vetja duke e ndihmuar ekipin me gola për të arritur synimet. Para se t’i bashkohej Hammarbyt, Berisha shënoi tetë gola dhe asistoi pesë herë në Norvegji me fanellën e Vikingut. Ai te Hammarby është transferuar për ta zëvendësuar Astrit Selmanin, i cili ka vazhduar karrierën të Izreal, tek Hapoel Beer Sheva.

“Do të shënoj gola, por do të shohim sa do t’i shënoj. Gjëja më e rëndësishme është që ekipi të ketë paraqitje të mira. Dhe, nëse arrihet kjo, atëherë golat do të vijnë. Për mua ekipi është gjëja me e rëndësishme”, ka thënë Berisha. “Natyrisht, që e ndiej presionin pasi presion i bëj edhe vetes se duhet të kem paraqitje të mira. Është e kuptueshme që ka presion kur dihet se je transferuar për një shumë të konsiderueshme parash. Mirëpo jam mësuar me presionin dhe do të bëj gjithçka për ta ndihmuar ekipin të arrij synimet”.

Berisha zbuloi se ende nuk është në formën e duhur për shkak të lëndimit që e kishte te Vikingu dhe për këtë arsye u inkuadrua në fund të pjesës së dytë te Hammarby. Ai shpreson të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme që Hammarby e luan të dielën ndaj Sundsvallit. Shkaku i lëndimit ai nuk u paraqit te Vikingu në pesë ndeshjet e fundit kampionale.

“Ishte mirë që u riktheva në fushë pasi nuk kisha luajtur për një muaj. Ishte mirë që debutova, por humbja gjithmonë lë shije të hidhur, sidomos në një ndeshje që është dashur ta fitojmë. Shpresoj të jem titullar prej ndeshjes së ardhshme por duhet të konsultohem me ekipin mjekësor. Të paktën situata po duket e mirë dhe nuk pata probleme”, është shprehur Berisha 28-vjeçar.

Megjithatë, ajo që e ka impresionuar Berishën në debutimin e tij te Hammarby ishte atmosfera e krijuar në stadiumin “Tele2 Arena”. Të pranishëm në tribuna për debutimin e Berishës ishin rreth 23 mijë tifozë. Ai ka insistuar se një atmosferë të tillë nuk ka përjetuar në kampionatin norvegjez.

Edhe Berisha debuton me humbje te Hammarby Sport Berisha debuton me humbje te Hammarby

“Ishte diçka krejt ndryshe nga Norvegjia. Atmosfera ishte fantastike dhe e shijova me të gjithë ata njerëz në tribuna. Në Norvegji nuk është kështu dhe futbolli norvegjez duhet të marrë mësim nga Suedia. Është ndjenjë fantastike kur luan para një numri të madh të publikut”, shtoi Berisha.

Berisha në Norvegji ka luajtur edhe te Branni, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Rapidi i Vjenës dhe Greuther Fuerthi. Ai gjithashtu ka edhe dhjetë paraqitje dhe një gol të shënuar me Përfaqësuesen e Norvegjisë.