Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Benfica kërkon ta mbushë boshllëkun e lënë nga Enzo Fernandezi

Benfica e shiti Enzo Fernandezin për një tarifë rekorde sa i takon futbollit britanik. Tani te skuadra portugeze po kërkojnë në radhët të veta për të mbushur boshllëkun në mesfushë. Benfica ka treguar gjithmonë kapacitet mbresëlënës për t'u rikuperuar pas humbjes së lojtarëve yje dhe tashmë po e gjen ritmin pa argjentinasin, i cili u shpall kampion bote.

Benfica, pesë pikë larg Portos në krye të ligës portugeze, ka shpresa të mëdha për ta fituar titullin e kampionit në Portugali dhe të shkojë larg në Champions pa Fernandezin.

Në Champions, Benfica është kualifikuar në 1/8 e finales, fazë në të cilën do të përballet me Bruggen. Me një grup të vështirë me Paris Saint-Germain dhe Juventusin, Benfica përfundoi e pamposhtur dhe në krye, për të arritur në rundet e eliminimit. Fernandez luajti rol kyç në atë progres, por u largua për në Chelsea në këmbim të një tarife prej 121 milionë eurosh, në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit. Ai u largua vetëm gjashtë muaj pasi bëri debutimin për Benfican. Skuadra me bazë në Lisbonë realizoi fitim të madh, marrë për bazë që pagoi 10 milionë euro te klubi argjentinas River Plate në verën e vitit 2022 për mesfushorin. Ishte një tjetër demonstrim i aftësisë së klubit për të bërë pazare dhe për të zhvilluar lojtarë.

Joao Felix dhe Darwin Nunez janë dy shitje të tjera të profilit të lartë që Benfica ka bërë në sezonet e fundit. Kur Liverpooli nënshkroi me Nunezin verën e kaluar, Goncalo Ramos ngriti nivelin për të ndihmuar në shënimin e golave. Ai po shijon sezonin më të mirë të karrierës. Plani i Benficas për të zëvendësuar Fernandezin ka qenë promovimi nga brenda. Mesfushori Chiquinho, 27 vjeç, i përdorur kryesisht si lojtar zëvendësues i skuadrës në gjysmën e parë të sezonit, ka nisur secilën nga tri ndeshjet që nga largimi i Fernandezit. Edhe pse është mësuar të luajë përpara, ai është përshtatur mirë për të luajtur në pozicionin defensiv të Fernandezit së bashku me Florentino Luisin.

“Mendoj se ai tashmë ka konfirmuar se është i aftë të luajë lojëra të shkëlqyera”, tha trajneri gjerman i Benficas, Roger Schmidt. “Ai tregoi të gjitha cilësitë e tij, me topin, shkathtësinë, kapacitetin e tij fizik, mendoj se ka bërë një punë shumë të mirë. Ai është gjithmonë një lojtar shumë pozitiv, edhe kur nuk luante, ai stërvitej fort. Ai po përshtatet shumë mirë me pozicionin e ri, mendoj se është një shembull i mirë se çfarë mund të arrish me një qëndrim të mirë”.

Edhe Fernandezi kërkon largimin, Chelsea kërkon 120 milionë funte Futboll Fernandezi kërkon largimin, Chelsea kërkon 120 milionë funte

Angazhimi i Chiquinhos ka bërë shpejt për vete tifozët e Benficas, ndërsa raportet se mesfushori portugez refuzoi një transferim fitimprurës te një skuadër nga Arabia Saudite në janar vetëm se e bëri atë më të dashur.

“Kush është Enzo? Nuk e di -- Chiquinho!”, kanë nisur të këndojnë tifozët e Benficas.

Me Chiquinhon që përshtatet mirë në pozicionin e Fernandezit, Schmidt nuk do të devijojë nga sistemi i tij, i cili përdor dy mesfushorë më të thellë dhe tre lojtarë përpara tyre, pas Ramosit në krye të sulmit.

“Ne do të luajmë me të njëjtin formacion, dy lojtarë në qendër të mesfushës dhe kemi pesë opsione”, tha trajneri. “Pas kësaj do të varet nga kundërshtari dhe si do të luajë, ne mund të gjejmë zgjidhjen më të mirë për çdo lojë”.

Ish-trajneri i PSV Eindhovenit dhe Bayer Leverkusenit tha se ishte dakord me vendimin e klubit për të mos kërkuar një zëvendësues për Fernandezin.

Edhe Benfica nuk e liron Fernandezin Sport Benfica nuk e liron Fernandezin

“Largimi i Enzos ishte i papritur, por vendimi ishte që ta linim me kaq, pasi është e vështirë të bësh një transferim të shpejtë. Dhe nëse e bën, duhet të jetë një lojtar me cilësi të qartë”, tha Schmidt. “Lojtarët që kemi për atë pozicion janë të cilësisë së lartë. Ky ishte vendimi ynë dhe besoj se ishte i duhuri. Ne duam të jemi kampionë me lojtarët që kemi”.

Mesfushorët e tjerë të Benficas po bashkohen gjithashtu për të ndihmuar në zëvendësimin e kontributeve të Fernandezit në fushë. Së bashku me Chiquinhon, mesfushori norvegjez, Fredrik Aursnes, Luis dhe Joao Mario demonstruan cilësinë e tyre në dy fitore radhazi 3:0 në ligë ndaj Aroucas dhe Casa Pias, me Marion që shënoi nga dy herë në çdo ndeshje. Benfica do të kishte preferuar të mbante Fernandezin, por nuk do të lejojë që largimi i tij në Premier League të pengojë përpjekjen për të fituar garën kryesore të Evropës, Championsin, për herë të tretë, 61 vjet që nga suksesi i fundit kontinental.